Vrasja e 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli”, aty ku mësonte, ka shkaktuar debate të forta në Kuvendin e Shqipërisë, që sot u mblodh për të dytën ditë rresht për të diskutuar mbi buxhetin. Por kjo, për demokratët nuk është një çështje që i përgjigjet realitetit pas ngjarjes tragjike të hënën.
Deputetja Ina Zhupa hodhi akuza se qeveria flet për skandalet vetëm pasi ndodhin ato.
Ina Zhupa: Nuk duhet ne të jemi të parët që ngremë zërin? Si ka mundësi? Doni ta amnistoni ministren Manastirliu? Doni ta amnistoni ministrin Hoxha? A e kuptoni që ne flasim për një skandal vetëm kur ka një vdekje? Ne folëm për policinë që ishte kthyer në një bandë dhe e pranuat dhe ju se ne kemi folur kishim vite, kur u vra Klodian Rasha? Tani do flasim kur u vra një fëmijë 14 vjeç? Ne jemi vrarë si shoqëri. Ne s’jemi më shoqëri nëse presim një vdekje që të flasim për çështjet. Ne jemi thjesht një grumbull njerëzish që jetojmë me njëri-tjetrin. Shikojeni shkollën “Fan Noli”, ishte e para e rankuar. Imagjinoni çfarë gjendje tragjike kemi në shkollat e vendit. A do flasim për këtë apo nuk do flasim për këtë? Po ju them një gjë, Serbia me Kosovën është sjellë njësoj siç silleni ju me fëmijët tanë.
Pas kësaj u përfshi fillimisht në debat me kryeparlamentaren Elisa Spiropali, pasi kjo e fundit i tha se kishte mbaruar koha për të folur.
Ina Zhupa: Mendova se kësaj radhe nuk do kishit guxim që të ndërprisni sepse jeni një nënë, jeni një zonjë dhe duhet të keni të njëjtin sensibilitet që kam edhe unë dhe ju. Do duhej ju ta kishit nisur atë seancë duke folur për atë ngjarje dhe jo të më ndërprisni fjalën mua se po marr kohë nga propaganda e buxhetit.
Elisa Spiropali: Nuk e përcaktoni ju ndjeshmërinë time e as askujt ndaj ngjarjeve dhe ju nuk e dini se çdo them unë, uluni mbaroi koha. E përdorët për të bërë politikën më banale të mundshme në minutat e procedurës. Tani mund të dëgjoni të tjerët të flasin për çështjen, çështje të tjera dhe buxhetin, të lutem? Ua dhashë fjalën për procedurë, mund të uleni tani? Siç ju respektuam kërkojmë të na respektoni. Ju lutem uluni zonja Zhupa.
Ina Zhupa: Pashpirtësinë tuaj nuk e kuptoj dot. 20 sekonda i desha për të falënderuar zonjën që ka dhënë ndihmën e parë dje dhe për t’i thënë familjes ngushëllime nga shpirti me këta të pashpirtë që kemi këtu. Faleminderit.
Për t’i kthyer përgjigje deputetes demokrate u ngrit ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla. Ai i kërkoi Zhupës që të mos e keqpërdor rastin për debatin politik të ditës.
Taulant Balla: Kolegë deputetë, natyrisht humbja e një jete të një nxënësi, një djali të ri, një futbollist i shkëlqyer na ka prekur të gjithë dhe ngushëllimet më të ndjera të familjes Cani. Është një përgjegjësi që na takon të gjithëve dhe kjo përgjegjësi bëhet më e madhe kur ngjarje kaq të rënda keqpërdoren për debatin politik të ditës.
Ai kërkoi dyfishimin e ndëshkimeve penale ndaj atyre që kryejnë krime pranë shkollave. Për këtë arsye ftoi opozitarët që të mbështesin të gjitha masat drastike ligjore që duhen ndërmarrë.
Taulant Balla: Kjo ngjarje duhet të na bëjë me përgjegjësi të gjithëve. Si anëtarë të kuvendit, e ftoj opozitës të marrë fjalën dhe të thotë ne jemi gati të mbështesim të gjitha masat drastike ligjore që duhen ndërmarrë. Ne do ta kemi një shumicë të cilësuar pas këtyre zgjedhjeve. Nëse doni të kontribuoni në fuqizimin e goditjes së çdo lloj forme krimi përgjatë perimetrit të shkollave ne kemi një sërë komisionesh, të Komisioni i Ligjeve me zonjën Bushka dhe të marrim shkas nga kjo ngjarje për të ashpërsuar të gjitha krimet penale që lidhen me një qasje të re, të një garantimi të sigurisë në shkolla. Do ju lutem shumë, lëreni familjen Cani që ta përballojë këtë situatë të vështirë. Unë kam djalin sa ishte Martini. Ju lutem nuk bëhet politikë me vdekjen.
Akoma më i ashpër me Zhupën ishte deputeti tjetër socialist, Etjen Xhafaj.
Etjen Xhafaj: Unë nuk jam ndjerë ndonjëherë më i turpëruar që kam qenë në këtë sallë se si çdo prind tjetër që e mori vesh atë lajm në sallë, ndërsa flisje pa pikë përgjegjësie, që të kesh trup duhet të kesh dhe një farë ndjesie për historira. Unë besoj se si çdo prind tjetër që ka një djalë 14-vjeçar në shkollë ka mbajtur frymën dhe unë e kam një të tillë. Prandaj nuk mund të marrësh përsipër që të flasësh disa gjëra dhe t’i përkthesh në patetizëm politik në mes të kësaj salle dhimbjen e një familjeje që është shumë më reale se radikalizmi që doni t’i bëni një veprimi politik apo një aksioni politik dhe që nuk ka fare kuptim në këtë sens. Nëse kërkon dorëheqje sa herë që ndodh diçka i bie që ti të bëhesh kriminel, që të mbarosh të gjithë dhe të bëhesh ti pastaj, se me ty do të mbarojnë të gjitha dhe kjo është përralla që u tregoni shqiptarë natë e ditë. Në vend që të rrimë këtu dhe të flasim se si t’i zgjidhim këto gjëra më mirë së nuk janë gjëra që ndodhin vetëm në Shqipëri, por ja që ndodhin dhe në Shqipëri dhe duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë për t’i zgjidhur dhe jo të dalim aty dhe të bëjmë patatetikën nga mëngjesi e deri në darkë, dhe po përmend shpirtin e të tjerëve se absolutja në këtë sallë na dole ti profeteshë.
Por deputetja Ina Zhupa u përgjigj duke thënë se nuk do ta mbyllin gojën përballë këtyre rasteve kaq të rënda. Sipas saj, ministria e Arsimit, Policia e shtetit kanë përgjegjësi për këtë ngjarje.
Ina Zhupa: Devijo, devijo, por vdekja dhe tragjedia ngelet. Nëse mendoni që do na mbyllni gojën, nëse mendoni se na kompleksoni dhe nuk do flasim, harrojeni. Nëse zoti Balla mendon se duke thënë keni votuar kundër gënjen opinionin publik dhe kalon një të pavërtetë edhe këtë ta harrojë. E kemi ftuar në komision. Të na thotë ku e ka arkivuar, në cilin sirtar e ka arkivuar Hoxha këtë paketën e sigurisë. Në cilën çantë? Atë çantën me thika? Në atë çantën me masheta? Ti je prind, edhe unë jam prind. Ti e ke 14 unë e kam 5. Besoj na dhemb të dyve njësoj pavarësisht moshës, por nëse ti mendon se nuk ka përgjegjësi Ministria e Arsimit, se nuk ka përgjegjësi Policia e Shtetit, se nuk kanë përgjegjësi në këtë vend ata edukatorë, ata drejtorë, ata mësues dhe të rrimë të heshtim e të flasim për buxhetin siç e nisi Klodi, sikur këtu nuk ka ndodhur asgjë, më fal po ju jetoni në një realitet që nuk i përgjigjet Shqipërisë.