Disa detaje të reja kanë dalë nga plagosja e rëndë me pasojë vdekjen e 15-vjeçarit Emiljano Gjoni, ngjarje e ndodhur natën e kaluar në zonën e ish-Fermentimit në Shkodër.
Mësohet se 15-vjeçari është qëlluar vetëm një herë me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar i tij, ndërsa ka pësuar hemorragji duke e bërë të pamundur shpëtimin e tij në spitalin rajonal të Shkodrës pasi u dërgua nga një qytetar i rastësishëm.
Ndërkohë, policia vendore e Shkodrës ka arrestuar autorin e dyshuar të kësaj ngjarje të rëndë. Viktima dhe autori frekuentonin të njëjtën shkollë, teksa ishin në vitin e parë në shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër.
Ajo që dyshon policia është se dy të miturit mund të kenë patur konflikt të mëparshëm duke qenë se ishin në të njëjtën shkollë, konflikt i cili përfundoi më pas me ngjarjen fatale.
Ndërkohë është zbardhur edhe dëshmia e autorit të dyshuar, i cili ka deklaruar se viktima e ka goditur me thikë në sup dhe për t’u vetëmbrojtur thikën e cila ka rënë në tokë e ka marrë dhe më pas e ka qëlluar sipas tij me idenë për ta plagosur.
“Qëlluam të dy në lagje dhe Emiljano kishte një thikë në dorë. Ai më qëlloi në sup dhe gjatë përplasjes tonë fizike thika i ra në tokë. Unë e mora nga toka thikën që kishte Emiljano më pare dhe për t’u vetëmbrojtur e qëllova me idenë për ta plagosur dhe më pas u largova nga vendngjarja”, është deklarata e dhënë e 15-vjeçarit, i cili u pyet në praninë e psikologut dhe avokatit për shkak të moshës së tij si i mitur.
Ndërkohë, viktima Emiljano Gjoni nuk ka arritur që të japë një dëshmi të tij. Vetëm pak minuta pasi u dërgua në spital nuk i mbijetoi goditjes me thikë që kishte marrë në zemër duke humbur jetën.
Policia në vendngjarje ka gjetur thikën me të cilën ndodhi plagosja e rëndë me pasojë vrasjen duke e sekuestruar në cilësinë e provës materiale.