Një 17-vjeçar është arrestuar nga policia për vrasjen e 19-vjeçarit në Fier, Grei Bihuci, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në qendër të qytetit.
Sipas Policisë së Fierit, 17-vjeçari K.M. është personi i dytë i arrestuar për këtë ngjarje. Dje, në flagrancë u kap dhe autori kryesor i dyshuar, F. Muka 18 vjeç.
Policia thotë se të dy të rinjtë goditën disa herë me thikë 19-vjeçarin Grei Bihuci duke i shkaktuar gjakderdhje, gjë që i mori jetën.
Nga ngjarja mbeti i plagosur me thikë edhe një 20-vjeçar me iniciale O.S., i cili ndërhyri për të shuar sherrin. Gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën.
Thika dhe një përforcues grushti u gjetën në vendngjarje dhe janë sekuestruar nga policia.
Vrasja e të riut që tronditi vendin ndodhi për motive krejt banale, për shkak të një mosmarrëveshje në rrjetin social Facebook mes viktimës dhe autorit kryesor të dyshuar, 18-vjeçarit Muka.
Të rinjtë ishin dakordësuar të takoheshin nga afër, por sherri përfundoi në tragjedi.