Katër ditë pas vrasjes së 19-vjeçarit Erjon Xhenje në Shkodër, policia thotë se ka shpallur në kërkim një person si autor të dyshuar të krimit.
Ai është Bajram Çekorja 24 vjeç. Policia e Shkodrës thotë se ky i fundit, në bazë të provave të grumbulluara, dyshohet të jetë autor i vrasjes me armë zjarri të 19-vjeçarit Erjon Xhenje.
Ngjarja ndodhi në bulevardin “Bajram Bishanaku” mbrëmjen e 18 Shtatorit 2022.
Gjatë kontrollit të territorit pas vrasjes, në rrugën “Saçej” në lagjen “Guerile” të Shkodrës, u gjet një motor i djegur plotësisht, si dhe një pistoletë, që dyshohet se janë përdorur në vrasjen e 19-vjeçarit Xhenje.
Policia thotë se po punohet dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në vrasje.
Bajram Çekorja ishte person në kërkim për një tjetër atentat të ndodhur në 25 Gusht 2022 në Shkodër, kur u qëllua me armë Alban Bruçi i cili udhëtonte me makinë, por që fatmirësisht nuk u prek nga asnjë plumb. Por vetëm pak ditë pas këtij atentati të dështuar, Bajram Çekores i vranë babain, Ismet Çekoren.
Pasi djali i tij u shpall në kërkim për antetantin ndaj Alban Bruçit, Ismet Çekorja foli për mediat duke thënë se djali i tij nuk ka lidhje me ngjarjen. Pesë ditë pas apelit të tij në media, Ismet Çekorja u ekzekutua me 7 plumba.