Rreth 2 muaj nga sherri që i kushtoi jetën 24-vjeçarit Adrian Pepkolaj, autori i dyshuar i ngjarjes është vetëdorëzuar në polici.
Saimir Sadiku ishte në kërkim që prej 11 korrikut (2024), kur goditi me thikë 3 persona. Ngjarja ndodhi në një lokal në fshatin Breg-Lumë të Tropojës. Si pasojë e plagëve, 24-vjeçari Peplokaj humbi jetën, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.
Për këtë ngjarje policia kishte vënë në pranga 5 persona të tjerë, të akuzuar se kishin ndihmuar Sadikun. Ndërsa ky i fundit kishte mundur të arratisej e fshihej në Tiranë. Pas kontrolleve të shumta dhe negociatave, 40-vjeçari u vetëdorëzua.
“Vihet në pranga shtetasi Saimir Sadiku, i akuzuar për vrasjen e një 24-vjeçari, më datë 11.07.2024, në një lokal në fshatin Breg-Lumë. Pas kontrolleve të shumta të kryera nga Policia e Tiranës dhe negociatave, ky shtetas është vetëdorëzuar në DVP Tiranë. Një ditë pas ngjarjes, Policia arrestoi 5 shtetas që përkrahën shtetasin Saimir Sadiku, pas vrasjes me mjete prerëse të 24-vjeçarit dhe të plagosjes së dy shtetasve të tjerë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Kukës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin në kërkim Saimir Sadiku 40 vjeç, banues në Fierzë, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, më datë 14.07.2024, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Saimir Sadiku akuzohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 17:00, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, plagosi me mjete prerëse, shtetasit Valentin Pepkolaj, 32 vjeç, Shkëlzen Kukaj, 45 vjeç, si dhe vëllanë e Valentin Pepkolaj, Adrian Pepkolajn, 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital”, thotë policia e Tropojës në një njoftim për media.