Aktualitet Vrasja e 25-vjeçarit, Meta: Përgjegjësi e drejtuesve të policisë dhe Llesahjt

Vrasja e 25-vjeçarit, Meta: Përgjegjësi e drejtuesve të policisë dhe Llesahjt

Presidenti Ilir Meta ka bërë përgjegjës ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga një efektiv i Policisë, tashmë i arrestuar për tejkalim të kompetencave.

“Fatkeqësisht, të gjithë jemi bërë dëshmitarë, veçanërisht në dy vitet e fundit se, aktet e përdorimit të dhunës ekstreme dhe shproporcionale nga efektivë të caktuar të Policisë së Shtetit, kanë ardhur duke u përshkallëzuar. Kjo është përgjegjësi direkte e funksionarëve të lartë dhe e drejtuesve të Policisë së Shtetit, si edhe e Ministrit të Brendshëm, të cilët nuk kanë mbajtur deri më sot qëndrime publike të qarta për zero tolerancë ndaj akteve të tilla”, shkruan Meta në Facebook.

Presidenti bëri thirrje prokurorisë të hetojë ngjarjen dhe të japë drejtësi. “Zbardhja e plotë e ngjarjes së rëndë duhet të shërbejë, si një moment kthese dhe reflektimi mbi ligjshmërinë e akteve të Policisë së Shtetit, jo vetëm të një individi, por e të gjithë zinxhirit komandues, që nga mënyra e rekrutimit, trajnimit dhe orientimit të efektivëve të policisë, deri te nxitja e veprimeve apo sjelljeve jashtë kërkesave të ligjit, që më pas çojnë edhe në ngjarje të tilla, të papranueshme për të gjithë shoqërinë tonë.

I kërkoj Avokatit të Popullit të ndjekë nga afër këtë rast dhe të dalë me rekomandime të posaçme për Policinë e Shtetit e që duhet të adresohen menjëherë nga kjo e fundit. I bëj thirrje shoqërisë civile të jetë më aktive në krah të mbrojtjes të të drejtave të qytetarëve në raport me veprimet e Policisë së Shtetit, e të monitorojë në mënyrë konstante veprimtarinë e saj. Koha për drejtësi është tani!”.