Aktualitet Vrasja e 33-vjeçarit në Shkodër, pistat që po hetohen nga Policia

Vrasja e 33-vjeçarit në Shkodër, pistat që po hetohen nga Policia

Uniformat blu janë fokusuar në 2 pista kryesore për vrasjen e Ramazan Matajt mëngjesin e sotëm në Dragoç të Postribës në Shkodër.

Sipas asaj që raporton korrespondentja e Klan News, Emi Kalaja, një nga pistat ku është përqëndruar grupi hetimor është konflikti për prerjen e druve në atë zonë. Bëhet e ditur se viktima ka pasur më herët precedentë penalë sa i takon prerjes së paligjshme të druve në Postribë.

Pista tjetër ku janë fokusuar hetimet ka të bëjë me mundësinë e një konflikti për motive të dobëta që mund të ketë degraduar deri në vrasjen me armë zjarri të Ramazan Matajt.

“Mundësia e një konflikti për motive të dobëta që ka të bëjë me ndonjë vajzë me të cilën mund të ketë pasur marrëdhënie, një gjë e tillë mund të ketë sjellë konflikt mes palëve të treta”, raporton Emi Kalaja.

Mësohet se Ramazan Mataj ka punuar më herët në Belgjikë dhe së fundmi në Malin e Zi.

Ai u qëllua për vdekje me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej prej tij në rrugën e fshatit Dragoç të Postribës.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve./ Tv Klan