34-vjeçari Indrit Ndoji u godit në këmbë me kaçavidë dhe jo me armë zjarri. Ky dyshim i grupit të hetimit është ngritur pas kqyrjes së trupit të pajetë të viktimës, i cili mëngjesin e së premtes u gjet i pajetë në një kanal në zonën e Fushë-Krujës.
Hetuesit janë të bindur që 34-vjeçari është goditur pikërisht në rrugën ‘Bakushe Visha’, në vendin ku u gjet dhe i pajetë. Ndoji dyshohet se është qëlluar rreth 3 orë përpara se të gjendej pa shenja jete në afërsi të banesës së prindërve të tij.
Gjithashtu hetuesit kanë zbuluar se në momentin e konfliktit ndaj 34-vjeçarit, viktima ka qenë në gjendje të dehur. Nisur nga këto rrethana prokuroria dhe policia kanë dyshime se ngjarja mund të ketë ardhur si pasojë e një konflikti çasti.
Burime të sigurta bëjnë me dije se hetuesit kanë të qartë dinamikën e ngjarjes, që mund të çojë policinë në identifikimin e autorit.
Në dëshminë e dhënë përpara hetuesve, familjarët e Indrit Ndojit kanë mohuar të kenë konflikte. E vetmja ngarkesë kriminale e 34-vjeçarit është një proces për llogari të policisë së Lezhës, pasi viktima është arrestuar në vitin 2021 për trafik klandestinësh. Për këtë vepër penale Indrit Ndoji ishte në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.