Zbardhen të tjera detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi sot zonën e Kodër Kamzës, ku një i ri u vra me armë zjarri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:56, në rrugën “Nikoll Vatnikaj”. Mësohet se vrasja e 35-vjeçarit Cen Kariçi ka dyshime të ketë lidhje me atentatin ndaj dy të rinjve në Astir më 13 nëntor.
Sipas grupit të hetuesve, kjo lidhje bëhet për shkak të njohjes që i riu kishte pasur me dy viktimat, Eriges Mihasin dhe Armand Dumani, të cilët u vranë me breshëri armësh nga një automjet në lëvizje në zonën e Astirit.
Pas ngjarjes u gjet një automjet i djegur në zonën e Institutit në Kamzë. Dyshohet se ajo është përdorur nga autorët e vrasjes së 35-vjeçarit që u gjet i pajetë brenda një makine në zonën e Kodër Kamëz.
Dëshmitarët thanë se nuk kanë dëgjuar të shtëna dhe vrasja mund të jetë kryer me silenciator. Në vendin e ngjarjes ka forca të shumta policie ndërsa është ngritur edhe një grup hetimor që po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
Policia thotë se është rrethuar zona dhe vijon krehja e saj ndërsa po këqyren kamerat e sigurisë në zonë.
I ekzekutuari në Kamzë ishte arrestuar në shkurt nga RENEA
Can Kariçi, 30-vjeçari që u gjet i vrarë sot me armë brenda makinës së tij rezulton që të jetë arrestuar në muajin shkurt 2021 për armëmbajtje pa leje.
Gjatë një kontrolli të RENEA-s në Laç më 26 Shkurt, brenda një lokali u arrestua pikërisht 30-vjeçari Can Kariçi të cilit iu gjet një pistoletë tip Glock me 14 fishekë dhe një krehër pistolete me 16 fishekë.
Ai u arrestua në flagrancë për armëmbajtje pa leje.
Këto kontrolle në Laç 10 muaj më parë u kryen në kuadër të hetimeve dhe aksioneve të policisë për të kapur autorët e vrasjes së Shkëlzen Kastratit, ngjarje e ndodhur më 1 shkurt 2021 në Fier.
Dhe gjatë këtyre kontrolleve, në një lokal në Laç ra në pranga 30-vjeçari Kariçi, të cilit iu gjet një pistoletë pa leje, por që nuk u akuzua për vrasjen e Shkëlzen Kastratit.
Ndërkohë, në makinën e viktimës Can Kariçi që u ekzekutua në Kamzë, u gjet një pistoletë, çka do të thotë se viktima ka qenë i armatosur kur u qëllua për vdekje, por nga arma e tij nuk rezulton paraprakisht që të jetë bërë qitje.
Ndërkohë, në zonën e Institutit u gjet një Audi i djegur që dyshohet të jetë përdorur nga autorët e vrasjes, të cilët më pas besohet se janë larguar duke u ndihmuar nga persona të tjerë.