“Policia ka lëvizur shumë vonë, është vrasje në bashkëpunim”, kështu është shprehur motra e viktimës Egli Proga, i cili humbi jetën si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij. Mes dhimbjes dhe lotëve që nuk i mban dot për humbjen e vëllait të saj, J.Proga thotë se dallohej qartë që Egli ishte dhunuar, por nga askush nuk thuhej një gjë e tillë.
Në deklaratën e saj për mediat, ajo dyshon se pas plagëve që i shkaktuan vdekjen vëllait të saj nuk qëndron vetëm një person, por shumë. Në fund, ajo bën thirrje që askush të mos bëhet palë me padrejtësinë dhe të zbardhet e gjithë ngjarja deri në detaje.
J.Proga: Më ka marrë djali tezes në telefon dhe më tha urgjent në spital. Vrapoj për atje, futem te urgjenca, shoh Eglin të shtrirë, të masakruar. Mjekët ishin duke i dhënë ndihmën e fundit, ne s’e pranonim dot që kishte ndodhur derisa mjekët thanë që t’i hiqnin pajisjet, nuk mund ta kthenin në jetë. Në shok kam dalë jashtë, pyes policët çfarë ka ndodhur dhe më thonë “është rrëzuar”.
Kanë folur për pjesën që është rrëzuar e deri që nuk e dimë, por jo të thoshin kemi lëshuar njerëz, po mbledhim prova, po marrim kamerat, po pyesim dëshmitarë. Policia ka lëvizur shumë vonë. Do të thotë që kanë qenë në lëvizje nga të tjerët për t’u sjellë kështu. Akoma asnjë gjë, informacioni vetëm është marrë nga mediat. Mirë që si lexova mediat atë ditë që thoni se ka vdekur në gjendje të dehur nga rrëzimi, se nuk e di si do ta përballoja.
Dallohej qartazi që ishte dhunuar, por nuk thuhej nga askush që ishte i dhunuar. E kanë vrarë, e kanë masakruar në mes të rrugës në tufë, e kanë braktisur, e kanë lënë. Ambulanca nuk vinte, u vonua gjysëm ore që Pogradeci për 2 minuta arrin. Policia nuk pranonte të lëvizte trupin pa ardhur ambulanca, mund të ishte gjallë aty, mund ta shpëtonin.