Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar inspektim në Drejtorinë Vendore të Policisë së Korçës lidhur me vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga.
Rrumbullaku urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit, lidhur me ngjarjen ku pas një konflikti humbi jetën Proga.
“Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të vlerësojë të gjithë tërësinë e veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë”, njofton policia.
Kujtojmë se gjatë së shtunës u raportua se 42-vjeçari kishte ndërruar jetë aksidentalisht në lagjen nr.1 në Pogradec. Por hetimet e komisariatit të policisë kanë zbuluar se ai ka ndërruar jetë pasi është dhunuar fizikisht nga 29-vjeçari Denis Meçe pas një konflikti për motive të dobëta.
Autori pasi e ka goditur disa herë viktimën është larguar nga vendngjarja për t’u arrestuar pak orë më vonë nga policia. Në momentin që ka ndodhur ngjarja kanë qenë prezent dhe persona të tjerë në lokal, të cilët nuk kanë kallëzuar në polici lidhur me krimin e regjistruar.
3 prej tyre janë vënë në pranga nga uniformat blu për “Moskallzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.