Shkalla e parë e gjyqësorit në Gjirokastër ka lënë në burg pa afat 23 vjeçarin Blerti Kanushi si dhe ka caktuar masën “arrest shtëpie” për bashkëpunëtoren Darovi Ajdini.
Fillimisht ka qenë prokurori Bledar Bala i cili përgjatë 30 minutave ka sqaruar me detaje rrethanat e ngjarjes së ndodhur në fshatin Zhapokik të Memaliajt.
Ai ka dokumentuar me prova materiale të gjithë veprimtarinë.
Mësohet se Kanushi ka qëndruar tërë kohës i heshtur në sallë dhe nuk ka reaguar në asnjë moment, duke i lënë të drejtën e reagimit avokatit të tij Malo Sadikaj.
Ngjarja u shënua më 19 Gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit. Kanushi në bashkëpunim me persona të tjerë vrau me thikë 72 vjeçarin Faik Ajdini.
Skënder Ajdini, Bledar Ajdini dhe Darovi Ajdini kanë përkrahur autorin duke tentuar të zhdukin çdo provë të krimit.
Siç ka raportuar policia, ka qenë çifti Skënder dhe Darovi Ajdini që e kanë nxitur 23-vjeçarin drejt krimit të rëndë. Motivi? Një gardh që ndante pronat e tyre.