Vrasja e të miturit në Fier është tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë tha presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.
Përmes një shkrimi në Facebook, Meta tha se “krimi makabër i djeshëm, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penale”.
Presidenti tha se nuk mjafton që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse për ngjarjen dhe ta dënojnë atë.
“Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t`u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i post vuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar”, shkruan presidenti.
Mbrëmjen e djeshme u gjet i mbuluar me baltë trupi i pajetë i një fëmije 8 vjeçar i vrarë nga komshiu i tij me precedent penal.
Klodian Çalamani ka pranuar fajësinë.