Aktualitet Vrasja e Alfred Dedjas, SPAK përgënjeshtron sërish Berishën: Viktima nuk ishte i...

Vrasja e Alfred Dedjas, SPAK përgënjeshtron sërish Berishën: Viktima nuk ishte i përfshirë në rrëmbimin e Jan Prengës

Alfred Dedja dhe Sali Berisha

Prokuroria e Posaçme ka përgënjeshtruar për herë të dytë brenda 24 orëve ish-kryeministrin Sali Berisha në lidhje me deklaratat që ka bërë pas vrasjes së ndodhur mbrëmë (1 Dhjetor) në Ndroq të Tiranës, ku u ekzekutua Alfred Dedja, nga i vetëdorëzuari sot, Julian Gjoshi.

Ky i fundit rezulton kunati i Altin Hajrit, pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, ku në vitin 2020 u rrëmbye dhe u zhduk trupi i Jan Prengës.

Pasi akuzoi një prokuror të SPAK si të përfshirë në lirimin e autorit të vrasjes së djeshme, çka rezultoi e pavërtetë, Berisha tha sot se Alfred Dedja i cili u ekzekutua nga kunati i Altin Hajrit, Julian Gjoshi, ishte dëshmitar i vetëm i rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës.

Por SPAK e ka përgënjeshtruar për herë të dytë kreun e PD-së, i cili tha në konferencën e sotme se 50-vjeçari Dedja ishte i lidhur me ngjarjen e vitit 2020.

“Mbështetur në hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, nuk rezulton që personi i vrarë mbrëmjen e djeshme A.D., (Alfred Dedja), të jetë dëshmitar apo të ketë lidhje me ekzekutimin apo fshehjen e trupit të viktimës “Jan Prenga”, thotë SPAK ndër të tjera.

Më tej SPAK jep detaje nga dosja e katër viteve më parë dhe personave të implikuar, mes tyre i shumëkërkuari Altin Hajri, për të cilin i ka kërkuar Policisë ekzekutimin e urdhrit të arrestit dhe masës së GJKKO.

Reagimi i plotë i Prokurorisë së Posaçme:

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hedh poshtë deklaratat e pavërteta që e lidhin A.D, viktimën e krimit të kryer mbrëmë në Ndroq me një ngjarje që daton në vitin 2020, e cila hetohet prej saj.

Mbështetur mbi hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, në kuadër të procedimit penal nr.60 të vitit 2020, personi i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme, A.D nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në Janar të vitit 2020. Emri i tij nuk rezulton të ketë qënë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit “Golden“, në Shijak, pronësi e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit.

I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” akuzohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga. Ai është në masë sigurimi “arrest me burg” në mungesë dhe çështja në ngarkim të tij po gjykohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në gjykim janë Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, të cilët kanë urdhëruar rrëmbimin e tij; Martin Bleta dhe Korado Kështenja që organizuan pengmarrjen ndërsa ekzekutimin Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të cilët e dërguan viktimën pas rrëmbimit, në kompleksin “Golden”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka drejtuar disa kërkesa zyrtare strukturave të policisë, si organi përgjegjës për ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit, Altin Hajri”.