Kryesore Vrasja e Alfred Dedjes, Berisha: U ekzekutua dëshmitari i zhdukje të Jan...

Vrasja e Alfred Dedjes, Berisha: U ekzekutua dëshmitari i zhdukje të Jan Prengës, njeriu që i dinte të gjitha

Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp deklaroi se Alfred Dedja, 50-vjeçari që u ekzekutua të dielën në Ndroq, ishte dëshmitar i vrasjes së Jan Prengës.

“U ekzekutua në Ndroq dëshmitari i copëtimit të Jan Prengës, njeriu që dinte të gjitha. Ai Dedja kishte qenë menaxher i lokalit të Altin Hajrit. Imagjinoni ju një moment njeriun që e kishin liruar nga burgu këtë Julianin (Gjoshin) që kishte ngritur shtetin në këmbë për ta liruar tani e urdhëron në një akt in-ekstremis të vrasë në publik dëshmitarin e vetëm të mundshëm të copëtimit makabër të trupit të Jan Prengës. E gjitha kjo një vepër shtetërore mafioze. Mafia me shtetin të bashkuar”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës nuk ka pasur kurrë dëshirë për të zbardhur vrasjen e Jan Prengës.

“E gjitha kjo për të mbyllur aferën sepse ju e dini se për Jan Prengën u akuzuan kamarierët e Altin Hajrit, ndërsa Altini është i lirë. Altini pastron oborrin. U detyrua të nisë kunatin e tij të kryejë vrasjen publike. Vrasja mafioze e djeshme është dëshmi e funksionimit si një sipërmarrje e përbashkët e shtetit me krimin, e mafies me shtetin. Ndryshe Dedja duhej të ishte një dëshmitar i çmuar, por nuk pati kurrë dëshirë për të zbardhur vrasjen e Jan Prengës. Këto që shihni ju, dosjet, që të gjitha vijnë nga jashtë. Dumani i ka aty, fle mbi to”, u shpreh Berisha.

50-vjeçari Alfred Dedja u vra të dielën në një restorant në zonën e Ndroqit në Tiranë. Autori i dyshuar është 27-vjeçari Julian Gjoshi, i shpallur në kërkim nga autoritetet.

Jan Prenga u rrëmbye dhe zhduk në 17 janar të vitit 2020, ngjarje në të cilët bashkëpunuan disa persona. Deri më tani Gjykata e Posaçme ka dënuar me burg përjetë ish-kopshtarin e një resorti në Shijak, Festim Bexhdili dhe me 3 vite heqje lirie, Olsi Turjan. Sipas Gjykatës, Bexhdili ka pastruar vendin e krimit, ka siguruar mjetet dhe ka kërkuar për vendin ku do groposej trupi, si dhe ka gjetur rroba të pastra për autorët që bënë rrëmbimin në Kamzë.

Hetimet treguan se shkak përmbajtjen peng të Jan Prengës, u bë grabitja e një sasie kokaine në portin e Portsmuth në Angli, grabitje për të cilën Dritan Rexhepi dhe Gentian Funiqi, të konsideruar si porositës të krimit nga SPAK, fajësonin vëllain e Jan Prengës, Astrit Prengën. Edhe pse në mungesë të një kufome, Gjykata argumenton se për shkak të gjakut të gjetur dhe pamjeve filmike, Jan Prenga ka humbur jetën. Për rrëmbimin e tij, vijon gjykimi në mungesë edhe për 7 të tjerë, personazhe të njohur të krimit.