Florenc Çapja është marrë zyrtarisht i pandehur dhe për të do të nisë gjykimi për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, ngjarje e ndodhur në 15 korrik të 2012 në Elbasan.
Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka kaluar për gjykim dosjen penale në ngarkim të Çapjat dhe Jorgo Lekut ose Olsi Lekut.
Ky i fundit ndodhet aktualisht i arrestuar në Greqi dhe po kryen atje dënimin pasi nuk do të ekstradohet nga drejtësia e vendit fqinj. Ndërsa Florenc Çapja ndodhet në Dubai dhe aktualisht është i lirë, pasi ende nuk është vendosur nëse do të ekstradohet në vendin tonë.
Florenc Çapja ka kërkuar që të mos veçohet procedimi nga ai i xhaxhzit të tij. Ai i ka dhënë një prokurë të posaçme avokatit që ta përfaqësojë në të gjitha shkallët e gjykimit. Por procesi ndaj tyre do të vazhdojë i ndarë nga pjesa tjetër e të dyshuarve, pasi Çapja dhe Leku do të gjykohen në mungesë.
Më herët gjykata kishte vendosur që të kalonte për gjykim çështjen penale në ngarkim të Ardian Çapjas, Klajdi Dokoli, Etjen Cani dhe Ervis Bardhin. Ky i fundit ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe do të japë sërish deklarimet e tij para gjykatës. Bardhi ka pranuar krimin dhe ka treguar se vrasjen e ka kryer për llogari të Ardian dhe Florenc Çapjas. Këta të fundit në atë kohë janë marrë në pyetje dhe kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen.
Vrasja e Gentian Beqirit dyshohet se u urdhërua nga Çapjat pasi ai po gjykohej për vrasjen e Sokol Çapjas, ngjarje e ndodhur në vitin 2005.