Një ditë pas arrestimit të 26-vjeçares Adjola Lakra, e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e Hekuran Billës, të tjera detaje kanë dalë në dritë sa i përket atentatit mafioz që ndodhi para dy javësh në zonën e Komunës së Parisit.
Në sajë të hetimeve ka rezultuar se e reja ra në gjurmët e policisë pas dëshmisë së pronarit të një servisi. Ishte ky i fundit që tregoi se Sebastian Mali, nipi i Prel Markut që u vra nga Billa në 2006-tën, shkoi në servisin e tij, nën shoqërinë e një vajze.
Për këtë, hetuesit sekuestruan kamerat e sigurisë dhe pas këqyrjes rezultoi se bëhej fjalë për 26-vjeçaren Lakra. Nga ana tjetër hetuesit kanë dyshime se, e reja prej një viti ka qenë e dashura e Billës, ndërsa ditën e ngjarjes ka komunikuar në telefon me viktimën dhe ka lenë takim në vendin ku ndodhi edhe vrasja, duke shtuar dyshimet se ajo është përdorur për ta nxjerrë në pritë 40-vjeçarin.
Ka qenë pikërisht Adjola Lakra që ka njoftuar edhe Sebastian Malin, i cili mendohet se së bashku me Viktor Markun, dajën e tij, organizuan vrasjen. Pas arrestimit, ajo ka pranuar përballë oficerëve të policisë se është paguar nga Mali për të krijuar lidhje me Billën, por nuk ishte në dijeni për ekzekutimin e tij.
26-vjeçarja ka treguar se pasi mësoi për vrasjen e Billës u largua në Berat ku qëndroi te një mikesha e saj dhe në të njëjtën kohë mbylli rrjetet sociale, nga ku kishte patur komunikime me Billën.
Për faktin se ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, uniformat blu kanë marrë në ruajtje familjen e saj. Vrasja dyshohet se ka ndodhur për shkak të hakmarrjes, pasi 14 vite më parë Hekuran Billa ka vrarë në Angli, Prel Markun, vëllain e Viktor Markut./Tv Klan