Avokati i Viktor Markut, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Hekuran Billa, tha se ai nuk ka lidhje me ngjarjen, ndërsa e konsideroi të paligjshëm arrestimin, duke argumentuar se nuk është konstatuar asnjë urdhër-ndalimi.
Në një prononcim për mediat, avokati i Markut u shpreh se të dy dajë e nip, Viktor Marku dhe Sebastian Mali, nuk kanë lidhje me vrasjen e biznesmenit Billa, ndërsa shtoi se policia duhet të gjejë autorët e vërtetë.
“Ka një verifikim sistemi TIMS që konstatohet dhe u relatua nga prokuroria që ky person ndodhej në Mal të Zi. Ne vlerësojmë punën e policisë së shtetit, por puna duhet të shoqërohet me njohjen e vërtetë të autorit të ngjarjes. Viktori thotë se nuk jam autori i kësaj ngjarje. Ai thotë se ka punuar në Mal të Zi. Gjykata kërkon që të sillen aktet ligjore për arrestimin e një shtetasi shqiptar dhe jo të arrestohet shtetasi në mënyrë të padrejtë.
Janë disa shkelje në ndalimin e klientit tim. Janë procedura që i di mirë Policia Gjyqësore. Në relatimin që u bë, nuk konstatohet një urdhër-ndalimi. Kodi parashikon që të ketë urdhër-ndalimi, dhe kjo nuk u konstatua. Kjo ishte A-ja! Janë nip e dajë, nuk kanë lidhje me ngjarjen, policia të gjejë autorët. Sebastian Mali është student i Juridikut, student i shkëlqyer, Ai ka të drejtë që të lëvizje rrugicave, ka shkuar që të blejë gjëra personale”, pohoi avokati.
Ndërkohë që edhe vet Marku ka mohuar akuzat, ndërsa u shpreh se ishte në Mal të Zi për punë dhe se nuk kishte lidhje me ngjarjen në fjalë.
Viktor Marku, u arrestua në Mal të Zi, i cili kishte hyrë ilegalisht dhe tentoi që të largohet që andej me identitet tjetër, por u prangosu, ndërsa nipi i tij, Sebastian Malit, iu caktua masa arrest me burg, si bashkëpunëtor i dajës së tij në ngjarje.