Aktualitet Vrasja e biznesmenit Nikulaj, kërkohet një shtetas anglez: Gjendet makina me pronar...

Vrasja e biznesmenit Nikulaj, kërkohet një shtetas anglez: Gjendet makina me pronar italian që u përdor në ngjarje

Një shtetas anglez po kërkohet të merret në pyetje nga autoritetet shqiptare në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, në lokalin e tij në Shëngjin. Policia ka zbuluar se ai ishte në brendësi të lokalit në momentin e atentatit dhe se është larguar menjëherë pas vrasjes.

Hetimet zbuluan se disa minuta pasi doli nga lokali, ai mori një taksi në drejtim të Fushë–Krujës. Aty ai ka marrë një tjetër taksi për të shkuar deri në Rinas. 5 orë pas vrasjes, ai është parë të fluturojë në drejtim të Londrës.

Dyshimet se ai mund të jetë i përfshirë në këtë ngjarje si bashkëpunëtor, e kanë detyruar policinë dhe prokurorinë t’i drejtohen autoriteteve angleze me një kërkesë për t’i marrë një deklarim mbi arsyen e vizitës së tij në Shqipëri dhe lëvizjet në vendin tonë.

Shtetasi anglez kishte hyrë në Shqipëri vetëm pak ditë përpara vrasjes së Nikulajt.

Paralelisht, policia vijon kontrollin e pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë përgjatë aksit Shëngjin-Shkodër në përpjekje për të rënë në gjurmët e vrasësit.

Pasi përshkroi disa kilometra me motorin që përdori në ngjarje, autori ka dyshime se ka përdorur dy automjete, njëra prej të cilave me qira, me të cilën ka lëvizur në drejtim të Shkodrës.

Policia e Lezhës ka mundur të gjejë mjetin “Land Rover Discovery” në pronësi të një italiani që dyshohet se transportoi ekzekutorin së bashku me motorin nga fshati Kukel në drejtim të Velipojës.

Mjeti është parë në kamerat e sigurisë edhe në pedonalen e Shëngjinit në datat 17 dhe 18 prill. Në komisariat janë shoqëruar dy persona të huaj, një burrë dhe një grua të cilët pritet të merren në pyetje.

Motivet e krimit mbeten ende të paqarta, por hetuesit janë përqendruar më së shumti tek konfliktet e viktimës në të shkuarën.