Vera Myrtaj dhe i dashuri i saj Fionino Mërkuri u gjetën të vrarë në shtëpinë e 37-vjeçares shqiptare mëngjesin e së hënës, në Spinea, Venecia. Autori i vrasjes së dyfishtë, ish-bashkëshorti i Verës, Viron Karabollaj. Historia e Verës, e rrëfyer sot nga fqinjët për mediat italiane, është e ngjashme me shumë gra që kanë pasur fatin e saj.
E ndarë nga i shoqi tre vjet më parë, Vera jetonte me dy vajzat e saj në Spinea (Venecia). Prej një viti e gjysmë kishte një partner të ri. Një lidhje që mund të ketë shkaktuar xhelozinë e ish-it që i vrau të dy të dielën e 20 nëntorit dhe më pas u vetëvar.
Vera Myrtaj kishte mbërritur në Itali, nga Greqia, rreth tetë vjet më parë; me sa duket me sugjerimin e dy vëllezërve që kishin kohë që punonin aty. Menjëherë pas kësaj, gruas iu bashkua edhe ish-bashkëshorti. Në vitin 2016, të dy u zhvendosën në Spinea, në një banesë të madhe në via Leopardi. Një shtëpi në të cilën ndër vite investuan mijëra euro për ta përshtatur me nevojat e vajzës së tyre më të vogël 13-vjeçare, e cila është në karrocë. Për çiftin nisën problemet e para, të cilat u bënë gjithnjë e më serioze. Ai e dhunon, ajo gjen forcën ta lërë dhe nis një jetë të re. Bën disa punë njëkohësisht në hotele të ndryshme në qendrën historike të Venecias. Covid e mbyll në shtëpi dhe detyrohet të bëjë një punë të re. Për të mbajtur dy vajzat e saj – 13 dhe 15 vjeç – ajo nisi të ofronte shërbime estetike në shtëpi.
Karabollaj dhe puna në kompaninë e ndërtimit
Pak muaj më parë, i dashuri i ri i tridhjetë e shtatë vjeçares u zhvendos në shtëpinë e saj. Ndoshta kjo do të ishte shkëndija që shkaktoi zemërimin e vrasësit. Viron Karabollaj kishte mbajtur kontakte me familjen e tij dhe vinte periodikisht për të marrë dy vajzat e tij për të kaluar kohë me to. Ai punonte prej vitesh në “Venetoponteggi”, një kompani ndërtimi në Chirignago me seli në Mirano. Trupi i tij do të gjendej sot pikërisht në vendin ku punonte, pasi ekzekutoi me thikë nënën e dy vajzave dhe 23-vjeçarin Mërkuri.