Vrasja e Egli Progës, qindra qytetarë mblidhen te sheshi “Skënderbej”, në protestë edhe motra e viktimës (FOTO)
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, ka nisur në Tiranë protesta për vrasjen e Egli Progës në Pogradec, nga Denis Meçe.
Në tubim marrin pjesë aktivistë të shoqërisë civile, si dhe qytetarë të shumtë të cilët kërkojnë “drejtësi për Eglin”.
Qindra njerëz janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas marshimin te Ministria e Brendshme dhe për ta përfunduar te Kryeministria.
E pranishme në protestë është edhe motra e viktimës.
Protestuesit kërkojnë që të bëhet drejtësi për vrasjen e Egli Progës dhe autorët të ndëshkohen nga ligji.
Ngjarja që tronditi opinionin publik javën e kaluar me vrasjen në Pogradec, është motiv kryesor i kësaj proteste.
Vetë konflikti publik që u përfshinë institucionet e zbatimit të ligjit dhe ato të drejtësisë për të kaluar përgjegjësinë tek njëra-tjetra, përforcoi dyshimet se diçka ka shkuar keq me zbardhjen e ngjarjes mbrëmjen e 10 gushtit në qytetin liqenor.
Denis Meçe është sot në arrest me burg për vrasje nga pakujdesia, ndërsa sipas policisë vrasja ishte me dashje.
Prokuroria dhe gjykata nuk e mbajtën përgjegjësinë për lehtësimin e akuzës, çka shkaktoi reagimin e fortë të familjareve të të ndjerit.