Gjykata e Korçës i kaloi dje përgjegjësinë Prokurorisë për lehtësimin e akuzës nga “vrasje me dashje” ne vrasje nga pakujdesia për Denis Meçen, autorin e dyshuar të vrasjes së Egli Progës në Pogradec.
Por përmes një njoftimi për mediat, Prokuroria Korçës bën përgjegjëse policinë, duke njoftuar njëkohësisht edhe nisjen e hetimit për inspektorin e çështjes, i dyshuar për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.
Këtyre reagimeve iu përgjigj Policia e Shtetit, e cila duke marrë në mbrojtje oficerin, thekson se nuk ka asnjë lidhje mes punonjësit të Patrullës së Përgjithshme që është vënë nën akuzë dhe hetimit të ngjarjes, për të cilën Policia e Shtetit ka kapur, arrestuar dhe dërguar para drejtësisë autorin e dyshuar të ngjarjes.
Ndërkohë, në shkresën e policisë duket qartë se për autorin e dyshuar Denis Meçe, është referuar akuza “vrasje me dashje”
Sakaq, policia ka dërguar në Prokurori të gjitha materialet e nevojshme hetimore që kryhen në vendngjarje dhe gjatë hetimit paraprak, materiale procedurale të cilat janë dorëzuar në Prokurori me numër protokolli, çka hedh poshtë akuzën e Prokurorisë për mangësi në aktet e referuara nga Policia.