Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me burgim të përjetshëm Xhulian Hoxhën, i akuzuar për vrasjen e Emiliano Ramazanit dhe Regis Runajt, ngjarje të ndodhura në Elbasan respektivisht në datat 20 dhe 29 Korrik 2020.
Për vrasjen e Emiliano Ramazanit, Xhulian Hoxha është dënuar me 30 vjet burgim për veprën penale vrasje me paramendim për interes në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Për vrasjen e Regis Runajt, Hoxha është dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale vrasje me paramendim për interes në formën e grupit të strukturuar kriminal e kryer me egërsi dhe mizori.
Po kështu, GJKKO e ka dënuar me 7 vjet për armëmbajtje pa leje dhe 3 të tjera për grup të strukturuar kriminal.
Në bashkim të gjithë dënimeve, Xhulian Hoxha është dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm.
Kurse bashkëpunëtori i tij, Euglen Halili është dënuar me burgim të përjetshëm për të njëjtat krime, por duke përfituar nga ulja e dënimit do të vuajë përfundimisht 17 vite burgim.
Porositës i këtyre dy krimeve, sipas SPAK është Erjon Alibej, çështja ndaj të cilit është ndarë nga dy të tjerët.