Kjo vrasje nuk ishte e para, por u duk se ishte e fundit. Franc Konomi ishte personi i fundit i mbetur gjallë nga ai grup të rinjsh që në Tiranë konsideroheshin “të fortë” e bënin ligjin në vitet ’90. Por ashtu si gjithë të tjerët, edhe Franci nuk jeton më. Në vitin 2010, ai u qëllua për vdekje me 10 plumba në mes të Tiranës nga dy vrasës me motor.
Policia: “Rreth orës 11:20 të datës 8 korrik 2010, në afërsi të “Pazarit të ri”, në Tiranë, në rrugën kryesore përballë një banke, Franc Konomi është vrarë me armë zjarri. Ai është gjetur i vrarë në makinën e tij “Mercedez Benz”, ngjyrë e zezë. Në kohën që ai është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri, ku si pasojë e goditjeve ka vdekur në vend. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, janë fiksuar në cilësinë e provës 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetër dhe 3 predha”.
Kanë kaluar më shumë se 13 vjet nga ajo ditë. Por as 13 vjet e 6 pista hetimore nuk mjaftuan për të zbuluar autorët e asaj ngjarjeje. Në atë kohë u fol për dy versione të mundshme. Një që e lidhte me vrasjen e Gaz Muçës në vitin 1992 dhe një tjetër që e lidhte me aktivitet e jashtëligjshme, kryesisht të trafikut të drogës që dyshohej të ishte i përfshirë.
Megjithatë duket se motivi i vrasjes së Franc Konomit ishte krejt tjetër. Të paktën kështu na rezulton nga të dhënat e dosjes hetimore që “Gjerat Tona” ka arritur të sigurojë ekskluzivisht. Rezulton që vrasja e Konomit të jetë hetuar në 6 drejtime. Disa prej pistave kanë rënë me kalimin e kohës. Ndërsa disa të tjera janë parë me përparësi.
Franc Konomi, i njohur edhe me mbiemrat e ndryshuar Pojana dhe Idrizi, ka qenë i dënuar dy herë para vitit 1990 nga Gjykata e Tiranës, për plagosje e tentativë vrasje. Është dënuar me 4 muaj burg, më 4 nëntor të vitit 1986, i akuzuar për plagosje të rëndë dhe më 26 qershor të vitit 1989 është dënuar me 15 muaj burg për tentativë vrasje.
Konomi ishte arrestuar edhe më 21 dhjetor të vitit 2001, pasi bashkë me Flamur Reçin dhe Fatmir Hysën i kishin vendosur 100 mijë dollarë gjobë biznesmenit Imer Ademi, president i një firme ndërtimi në Tiranë dhe ishte dënuar për këtë ngjarje.
Para se të vritej, Policia e Tiranës e kishte të evidentuar si person me precedentë me tendencë krimet kundër personit. Ndërsa ka pasur të dhëna se merrej edhe me trafik lëndësh narkotike.
Sipas një informacioni të majit të vitit 2008, të Policisë së Tiranës, rezultonte se Franc Konomi së bashku me Ylli Kelmendin kishin strehuar dhe ndihmuar Dritan Dajtin, i cili në atë kohë ishte person në kërkim. Dajti u arrit të arrestohej vetëm pas vrasjes së 4 oficerëve të policisë më 7 gusht të vitit 2009 në Durrës. Ndërsa për Konomin dhe Kelmendin nuk u arrit asnjëherë të dokumentohej me prova që kishin ndihmuar e strehuar një person në arrati, të konsideruar me rrezikshmëri të lartë.
8 Korrik 2010
Ekzekutohet në mes të Tiranës Franc Konomi
Rreth orës 11 e një çerek të datës 8 korrik 2010, Franc Konomi ka ndaluar makinën në parkim dyshe dhe ka zbritur në tokë. Ai kishte 3 ditë që lëvizte nëpër Tiranë me një makinë “Mercedez Benz”, ngjyrë e zezë. Ai ishte personi i fundit i mbetur gjallë, nga seriali i hakmarrjeve mes të “fortëve” të Tiranës të viteve ’90.
Pasi ka qëndruar jashtë 5-6 minuta, është futur në makinë për t’u larguar. Në këtë kohë, dy persona me motor, ngjyrë të zezë, të tipit XXL, 600 kubik, me targa greke, të cilët mbanin kaska në kokë, e kanë qëlluar me pistoletë dhe më pas janë larguar në drejtim të “Pazarit të ri”.
Ngjarja ndodhi në anën e trotuarit që lidh zonën e “Ushtarit të Panjohur” me sheshin “Avni Rustemi”. Atentatorët kanë qenë të informuar për çdo lëvizje të tij dhe i kanë zënë pritë vetëm disa metra më larg vendit ku ishte parkuar makina. Sapo ka lëvizur makinën nga vendi, 42-vjeçari është qëlluar për vdekje. Policia e Tiranës sqaroi zyrtarisht se po heton në disa pista, duke u nisur edhe nga fakti se viktima ka qenë person me precedentë penale.
Ditën kur u vra i biri, i ndjeri Stefan Konomi shprehej se, Franc Konomit e keqja i kishte ardhur nga brenda dhe se dikush e kishte spiunuar.
Stefan Konomi: “Ngjarja e sotme dihet se me çfarë është e lidhur dhe nuk kam çfarë të shtoj për të, por dikush e spiunoi tim bir. Patjetër që e keqja sot do i ketë ardhur nga brenda. Brenda rrethit të atyre njerëzve që i qëndronin si besnikë, por që për mendimin tim nuk ishin të sinqertë dhe unë këtë ia kisha thënë disa herë, po ai nuk më dëgjonte. Dikush e mori në telefon në mëngjes dhe i kërkoi ta takonte. Më thanë që ai kishte pirë një kafe me dikë, tek një lokal këtu në lagje pranë shtëpisë dhe sapo është ndarë nga ai, shkoi në atë vend, ku edhe e vranë”.
Në lidhje me ngjarjen, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal numër 27 86, të vitit 2010, për veprën penale “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pe leje”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa për hetimin e saj u ngritën 6 versione hetimore, të bazuar kryesisht mbi aktivitetin kriminal që kishte viktima ndër vite.
1- Hakmarrje e të afërmve të Gazmend Muçës
2- Implikimi i tij në trafikun e lëndëve narkotike
3- Ndonjë konflikt i çastit për motive të dobëta
4- Ndonjë gjobë që mund t’i kishte vendosur ndonjë biznesmeni
5- Shpërndarja e parave me fajde që viktima iu kishte dhënë shumë personave në Tiranë
6- Implikimi i tij në vrasjen e Mirit të Xhikes, Naim Zyberit, etj., ngjarje të tjera të para dhe pas vitit 1997
Tri prej tyre u eliminuan gjatë fazës hetimore. Ndërsa të tjerat u hetuan për vite me radhë, por pa arritur të zbulohet asnjë autor. Le t’i marrim me radhë të gjitha historitë ku Policia dhe Prokuroria dyshuan se kishin të bënin me vrasjen e Franc Konomit.
Pista e parë
Hakmarrja e të afërmve të Gazmend Muçës
Versioni i parë që është analizuar nga Policia në lidhje me vrasjen e Franc Konomit, ka qenë dyshimi se ngjarja mund të kishte për motiv hakmarrjen e familjes së Gazmend Muçës, i cili është vrarë në vitin 1992. Për atë ngjarje, u dënua Naim Zyberi, por ka qenë i dyshuar edhe Franc Konomi, pa çka se më vonë u akuzua vetëm për armëmbajtje pa leje dhe u lirua nga burgu.
Më 7 prill të vitit 1992, Franc Konomi së bashku me ish-të fortin e kryeqytetit Naim Zyberi, u dyshua se ekzekutuan pas një sherri banal shokun e tyre Gazmend Muça. U tha se Franc Konomi kishte qenë në të njëjtën makinë me vrasësit e Gaz Muçës, pa çka se nuk u provua asnjëherë nëse e kishte tërhequr edhe ai këmbëzën e armës.
Në ditët e sotme historia atyre të rinjve që në atë kohë njiheshin si djemtë e rrugës “Bardhyl”, tregohet si gojëdhënë, me personazhe që për disa janë mitikë. Ata të rinj, mes të cilëve Gaz Muça, Naim Zyberi dhe Franc Konomi janë akuzuar nga shteti për vrasje e për grabitje. Ata ishin një grup djemsh që u rritën bashkë, por me kalimin e kohës shoqëria e tyre u kthye në armiqësi dhe përfunduan duke u vrarë. I pari që u vra ishte Gaz Muça e më pas gjithë të tjerët me radhë. Në këtë formë u shua një mit i ngritur me shpejtësi vetëm prej bëmave. Shumë të rinj që ai kishte mbledhur rreth vetes, krenoheshin nëpër Tiranë se ishin miqtë e Gazit.
Por ditën e 7 prillit të vitit 1992, kur ai po shkonte tek lokali ku qëndronte përherë në zonën e “Xhamllikut”, një breshëri automatiku i ndali frymën. Gazmend Muça, 23 vjeç, nuk pati mundësi të nxirrte as pistoletën që e mbante gjithmonë në brez. E gjitha kjo histori ishte një ngjarje e nisur për një sherr banal, të zakonshme për ato kohë. Vëllai i Gazit, Taulanti, i kishte marrë pa leje motorin Francit dhe ai e kishte goditur me shpullë. Ankesa e Taulantit tek i vëllai solli zemërimin dhe paralajmërimin e Gazit që Farnci do ta paguante atë që kishte bërë. Por fjala mori dhenë dhe i ra në vesh Franc Konomit që bashkë me Naim Zyberin planifikuan të vepronin para tij.
Vrasja e Gazit solli një sërë vrasjesh të bujshme të djemve që etiketoheshin si të fortë. Çdo vrasje kishte lidhje me ekzekutimin e tij. Për disa vite, familja Muça qëndroi në heshtje dhe në zi. Pesë vite pas, Taulanti arriti të hakmerrej, duke vrarë Fatos Ketën, në dhjetor të vitit 1997. Ky i fundit cilësohej si një nga miqtë më të besuar të Naim Zyberit. Në atë kohë thuhej se Taulantin nuk arriti dot të vriste Zyberin, i cili akuzohej si një nga atentatorët e të vëllait. Ndërsa më 31 korrik të vitit 1998 u ekzekutua edhe vëllai i Gazit, Taulanti. Sapo doli nga shtëpia, 200 metra më larg u përballë me një pritë të armatosur. Taulanti mbeti i vrarë nga një breshëri automatiku. Policia arrestoi pesë vite pas ngjarjes Besnik Ketën dhe Dorian Stafën si autorë.
Pista e dytë
Implikimi në trafikun e lëndëve narkotike
Versioni i dytë që Policia ngriti për vrasjen e Franc Konimit, ishte implikimi i tij i mundshëm në trafikun e lëndëve narkotike. Dy vite para se të vritej, ai ishte i lidhur ngushtë me një grup trafikantësh shqiptarë, kryesisht nga Tirana, të cilët e zhvillonin e aktivitetin e tyre kriminal në kryeqytetin e Spanjës, Madrid. Lidhja e ngushtë shoqërore e Franc Konomit ka qenë Domart Konjari.
Në janar të vitit 2010, Konjari i shpëton një atentati me armë zjarri në Madrid, duke mbetur i plagosur. Ndërkohë vritet miku i tij, Alfred Nasaj, nga Tirana. Në dosjen hetimore të vrasjes së Franc Konomit thuhet se Domart Konjari ishte qëlluar nga Devi Kasmi, i njohur edhe me emrin Defrim Kruja. Motiv i kësaj vrasje ka qenë prishja e pazareve të drogës ndërmjet Konjarit dhe Kasmit. Devi Kasmi ishte lidhje e ngushtë shoqërore e Kreshnik Farrukut, nga fshati Hamallë i Durrësit. Në kohën që Konjari është plagosur, ka marrë në telefon Franc Konomin duke i thënë:
“Mua më kanë qëlluar me armë. Në qoftë se vdes ti duhet të më marrësh hak. Jam qëlluar nga Dëfrimi për llogari të atyre katunarëve të Durrësit…”
Për këtë ngjarje Policia spanjolle në atë kohë ka shpallur në kërkim Devi Kasmin dhe në muajin mars të vitit 2010 ka arrestuar të Madrid Kreshik Farrukun. Ky i fundit ka tre vëllezër, Altinin, Rolandin dhe Erneon, që sipas Policisë njihen si persona me tendenca të mprehta kriminale. Gjatë kohës që Franc Konomi ishte në Tiranë pas plagosjes së shokut të tij në Spanjë, ka qenë shumë i shqetësuar dhe ka bërë disa përpjekje që të marrë hak për llogari të Domart Konjarit, ku ka pasur si shënjestër Devi Kasmin dhe lidhjet e tij, vëllezërit Farruku.
Pas vrasjes së Konomit, Policia referoi në Prokurori se, kohët e fundit ai kishte mbajtur armë me vete. Ndërsa në takime me lidhje të tij shoqërore kishte shprehur shqetësimin për ngjarjen e ndodhur në Spanjë.
Policia referonte në vitin 2010 se:
“Nga informacionet që ne disponojmë, rezulton se vrasja e Franc Konomit është kryer me pagesë. Rezulton se vrasja është bërë për shkak të ngjarjes së ndodhur në Spanjë, ku u vra Alfred Nasaj dhe u plagos rëndë Domart Konjari. Franc Konomi kishte lidhje me të dy këta persona dhe ishte i vetmi që mund të hakmerrej për këtë ngjarje. Të dyshuar si organizatorë të vrasjes së tij, janë Devi Kasmi dhe Kreshnik Farruku. Devi Kasmi është me banim në njësinë nr.3. Është i martuar me një shtetase të huaj dhe ka një vëlla që quhet Deglis Kasmi, i cili banon në Itali. Nga lidhjet e tij shoqërore janë shoqëruar dhe intervistuar 25 persona”.
Ndërsa babai i Franc Konomit, shprehej se, djali i tij nuk mbante armë.
Stefan Konomi: “Në të shkuarën ai mbante pistoletë me vete. Kishte frikë, pasi nuk ekzistonte shteti. Por tani edhe armë nuk mbante më. Madje, kur erdhi policia, pikërisht për kontroll armësh mendova se po bëhej e gjitha, por nuk u gjet asgjë. Ai lëvizte i shkujdesur dhe pa frikë. E gjithë lagjja e njihte si njeri të mirë dhe jo ashtu siç pretendon policia. Ai nuk ka bërë asgjë. Policia duhet ta gjejë vrasësin. Po të kishte bërë ndonjë gjë të kundërligjshme, atëherë shteti ta kishte mbajtur në burg dhe ta kishte dënuar. Por, ai ka dalë i pafajshëm. Edhe kur e akuzuan dhe e arrestuan në Gjermani, u detyrova të dërgoj vendimin e gjykatës, se ishte i pafajshëm. Meqë ishte i pafajshëm, atëherë autorët t i gjejë ky shtet. Kriminelët që vrasin në mes të ditës, në mes të kryeqytetit dhe arrijnë të ikin pa u shqetësuar fare, duhet t’i gjejë shteti, nëse ekziston, pasi për mua nuk ka shtet, se vetëm këtu ndodhin krime që nuk zbardhen kurrë”.
Por këtu ngeci gjithçka. Pavarësisht se kishte emra konkret të dyshuarish, që ishin Devi Kasmi dhe Kreshnik Farruku, madje edhe motiv, ata nuk u ndaluan asnjëherë për vrasjen e Franc Konomit.
Farruku i shpëtoi disa atentateve, më i fundit ai i vitit 2015 në “Don Bosko” në Tiranë, ku mbeti e plagosur një kalimtare. Ndërsa Devi Kasmi mbeti i vrarë në vitin 2018. Pas këtyre ngjarjeve është përfolur Domart Konjari. Le të ndalojmë te secili prej këtyre personazheve.
Kreshnik Farruku
Njeriu me 10 identitete i skeduar për drogë në Spanjë e Itali
Në maj të vitit 2019, Policia spanjolle ka arrestuar në Madrid shqiptarin Kreshnik Farruku, të cilin mediat vendase e konsiderojnë si liderin e rrezikshëm të një klani për trafikimin ndërkombëtar të kokainës. Ndaj tij rezultonte të kishte një urdhër- arresti europian të lëshuar nga Italia që nga viti 2018, për të njëjtën çështje që Policia spanjolle e kishte hetuar që nga viti 2007.
Në atë kohë, në Spanjë ai dyshohej edhe për grabitjen e vilës së biznesmenit Jose Luis Moreno, në Boadilla. Kreshnik Farruku u arrestua në një hotel që ndodhet në rrugën “Joan Maragall Chamartin”, pranë La Castellana, në Spanjë. Mediat vendase shkruanin se kur atij iu afrua një agjent policie, u përpoq të vërtetonte identitetin e tij me dokumente spanjolle dhe shqiptare në emër të personave të tjerë. Më pas, Policia zbuloi se ai kishte përdorur deri në 10 identitete të ndryshme, për të shmangur zbulimin.
Aktiviteti kriminal i Kreshnik Farrukut nis në Shqipëri, me përplasjen e përgjakshme të fisit Farruku në Manëz të Durrësit dhe fisit Kërtalla në Shijak. Vetë Kreshnik Farruku, i cili ka ndryshuar mbiemrin duke marrë atë të gruas së tij, i ka shpëtuar disa herë atentateve, i fundit ishte ai i vitit 2015 në zonë e “Don Boskos” në Tiranë, ku mbeti e plagosur rastësisht një kalimtare. Atentat i është bërë edhe vëllait të tij Roland Farrukut.
Në Shqipëri, prokuroria i ka sekuestruar Farrukut rreth 1 milion euro pasuri të dyshuar se ishte vënë përmes aktivitetit kriminal. Ai dyshohej edhe për vrasje e Alfred Nasaj e plagosjen e Domart Konjarit në Spanjë, në vitin 2010, për shkak të pazareve të drogës. Por pas hetimit, prokurorët spanjollë konkluduan se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi.
Në maj të 2010-ës, Farruku u arrestua së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të bandës, gjatë tentativës për të transportuar në Itali rreth 20 kilogram kokainë. Në vitin 2014 Farruku arriti të arratiset nga burgu spanjoll dhe iu rikthye aktivitetit kriminal, kryesisht trafik droge me bazë në Amsterdam.
Devi Kasmi
U ekzekutua nga një ish-komando grek në vitin 2018
Devi Kasmi, personi që ishte një nga të dyshuarit për vrasjen e Franc Konomit, u ekzekutua në një atentat të mirëorganizuar mbrëmjen e datës 29 janar të vitit 2018, në Tiranë.
Policia e Tiranës gjeti rreth 2.8 kg kokainë dhe një armë zjarri në banesën e tij. Menjëherë pas ngjarjes Policia tha se vrasja e Kasmit dyshohej të ishte kryer për shkak të përfshirjes së tij në trafikun e kokainës në Spanjë, ku kishte jetuar disa vite. Devi Kasmi u qëllua për vdekje në momentin që doli nga pallati, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në kryeqytet. Ekzekutimi i tij u lidh nga Policia e Tiranës me atentatin që ai i kishte bërë në Spanjë Domart Konjarit, në vitin 2010. Madje Konjari u shpall në kërkim në lidhje me vrasjen.
Por gjatë hetimeve rezultoi se atentati ndaj Devi Kasmit kishte qenë i mirëorganizuar nga një grup personash, me role të përcaktuara, ku rolin e ekzekutorit e kishte një ish-komando grek, Eftimio Eftimiu.
Në maj të vitit 2023, Gjykata e Posaçme shpalli fajtor dhe dënoi me burgim të përjetshëm Aurel Hoxhallarin, i akuzuar si organizator dhe porositës i vrasjes së Devi Kasmit. Për këtë vrasje është dënuar me burgim të përjetshëm edhe ish-komando grek, Eftimio Eftimiu. Gjithashtu togat e zeza të Apelit të GJKKO-së, dënuan me 33 vite burg të bashkëpandehurin tjetër Elton Halipajn, i cili dyshohet se është personi që i siguroi grekut mjetet për të kryer vrasjen. Prokuroria e Posaçme thotë se nga hetimet rezultoi se Hoxhallari ka kontaktuar ish-efektivin grek për të kryer atentatin, ndërsa përgatitja e ngjarjes ka marr disa muaj.
Eftimio Eftimiu bashkë me Elton Halipajn i kanë bërë prit Devi Kasmit, pranë banesës së tij dhe më pas u larguan me furgon të bardhë, i cili ishte çelësi i zbardhjes së ngjarjes. Pas gjetjes së furgonit, Policia gjeti në të gjurmë ADN-je të shtetasit grek dhe nëpërmjet një kontrate shitje u arrit të personi tjetër Elton Halipaj. Motivi i këtij krimi mbetet ende i pazbardhur nga policia ndërsa dyshohet se pas përplasjeve mes grupeve kriminale persona ende të paidentifikuar paguan për ekzekutimin e Kasmit duke kontraktuar ish-komandon grek.
Domart Konjari
Historia e të kërkuarit nga Franca që i shpëtoi burgut
Ai që konsiderohet çelësi që mban të kyçur shumë të vërteta në lidhje me vrasjen e Franc Konomit e jo vetëm, është Domart Konjari. Një bashkëmoshatar, shok lagjeje dhe bashkëpunëtor i tij në shumë aktivitete të jashtëligjshme. Nëse marrëdhënia e tyre vijonte të ishte e tillë edhe në kohën kur u vra Franc Konomi, kjo mbetet e paqarta. Megjithatë, nisur nga telefonata pas plagosjes në Spanjë, duket se Domart Konjari priste që Franc Konomi të hakmerrej për atë ngjarje dhe ishte i vetmi që mund ta bënte.
Domart Konjari është një personazh, për të cilin drejtësia herë pas here është treguar dorëlëshuar. Aq sa pas arrestimit në vitin 2015, kur Franca e kërkonte si një person të dyshuar për krime të rënda, në vitin 2016 Gjykata e Apelit për Krime të Rënda i caktoi masën “detyrim paraqitje”, duke i dhënë kështu mundësinë që të arratisej. Mundësi që ai e shfrytëzoi menjëherë dhe sot ende vijon të jetë në kërkim.
E megjithëse në arrati dhe i konsideruar si një prej personave me rrezikshmëri të lartë, Konjari kthehet në qendër të vëmendjes në vitin 2018, si i dyshuar për vrasjen e Devi Kasmit.
Në janar të vitit 2018 Gjykata e Krimeve të Rënda rihapi procesin gjyqësor ndaj tij. Proces që në fakt kishte pasur shumë pikëpyetje, që prej momentit kur ai u la i lirë. Domart Konjari ka 7 vite ne arrati dhe akuzohet për një sërë veprash penale në Francë si, “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijimi i organizatave kriminale”. Në një prej seancave gjyqësore, avokati i tij kërkoi që çështja të transferohej në Francë, por Gjykata e refuzoi duke vijuar procesin në Shqipëri në mungesë të tij.
Në dosjen që Prokuroria mori në atë kohë nga autoritetet franceze, renditeshin me detaje e gjithë veprimtaria e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani. Ai dyshohej se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës, pasi mendohej se kishte lidhje direkte me burimin e prodhimit të saj në Amerikën e Jugut. Si pasojë e këtij rrjeti, influencës në treg dhe shpërndarjes së drogës në Europë, hetuesit francezë thonë se kanë ndodhur edhe disa vrasje, ku në dy raste, Konjari u ka shpëtuar atentateve me armë.
Në dosje, emri i Konjarit përmendet si i përfshirë direkt ose indirekt në disa vrasje për trafikun e drogës. Aty përmendet vrasja e 29 gushtit të vitit 1998, kur është ekzekutuar Gentian Dervishi, i njohur ndryshe me nofkën “Gent Kadaifi”.
Vrasja ndodhi pranë “Shkollës së Kuqe”, në Tiranë. Më pas, emri i Konjarit del në vrasjen e ndodhur në vitin 2003, në qytetin Rene të Francës, ku u vra Erion Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës. Megjithëse për këtë ngjarje ishin të tjerë persona që u shpallën fajtorë në vitin 2019. Drejtësia franceze nxori para bankës së të akuzave të vetmin person që ka arrestuar, Eduart Pelushin, një biznesmen që në vitin 2010 u arrestua në Shqipëri me 8 kg kokainë dhe u lirua për t’u prangosur në Spanjë, ku po kalonte pushimet. Autori i dytë është Ndriçim Hoxha, në kërkim, ndërsa autori i tretë, Fatjon Naxhaku, i cili është ekzekutuar më 3 gusht të vitit 2005 nga Domart Konjari. Naxhaku 33 vjeç, i cili kishte mundur të arratisej në mënyrë spektakolare nga burgu i Marsejës në Francë, ishte nisur për të ekzekutuar Domart Konjarin, mikun e ngushtë të Franc Konomit. Me maskë në kokë dhe pistoletë me silenciator në duar, Naxhaku ka mbërritur pranë “Shkollës së Kuqe”, zonë në të cilën banonte Konjari dhe Konomi. Naxhaku, një kontingjent mjaft i njohur për policinë shqiptare pasi dyshohej për trafik droge, nuk mundi ta ekzekutonte shënjestrën e tij. Konjari mundi t’ia marrë pistoletën atij dhe ta qëllojë me 4 plumba. Atëherë u tha se vrasja e Fatjon Naxhakut kishte ardhur për shkak të larjes së hesapeve për pazaret e drogës. Skeda e tij ishte mjaft e errët. Ai dyshohej se kishte marrë pjesë në rrëmbimin e shqiptaro-kanadezit, Pluton Diko në 7 nëntor 2005, në një lokal në rrugën “Taulantia” në Durrës. Autoritetet franceze, por edhe ato shqiptare thonë se vrasja e Fatjon Naxhakut është kryer nga Domart Konjari për vetëmbrojtje.
Pjesë e dosjes franceze në ngarkim të Konjarit është edhe vrasja me 16 plumba e francezit Gilbert Slik në vitin 2007 në Marsejë. Ndërsa në korrik të vitit 2010, një muaj pasi Konjari i shpëtoi atentatit në Madrid, ku mbeti i vrarë miku i tij dhe i kërkoi Franc Konomit që të hakmerrej, ndodh një tjetër vrasje. Ekzekutohet në dalje të burgut, në Aliacante të Spanjës, shtetasi francez Alain Coelier, i njohur si Alani i vogël. Ai njihej si kapo i bandës së grabitjeve të viteve 1980 në Francë, por që në vitin 2006 u arrestua së bashku me Juan Ponsoda me anijen me vela të një kompanie shqiptarësh, që vinte nga Venezuela dhe brenda saj ishin fshehur 3.4 tonë kokainë.
Më pas ndodh vrasja e Franc Konomit në Tiranë, që sipas autoriteteve franceze ndodhi për shkak të mosmarrveshjeve mes bandave rivale për dërgimin e kokainës në Spanjë. Megjithëse në Shqipëri kjo ngjarje mbetet pa autor.
Emri i Donart Konjari, në dosjen franceze lidhet edhe me ekzekutimin e Gentian Gashit, në nëntor të vitit 2011 në Durrës dhe mbyllet me ekzekutimin e Edmond Dervishit, më 14 korrik të vitit 2013, në Tiranë. Të gjithë këto vrasje, hetuesit francezë dyshojnë se kanë të bëjnë me aktivitetin e trafikut të kokainës, dhe janë të lidhura me emrin e Domart Konjarit.
Tri pistat që ranë
Konfliktet e çastit, gjobëvënia dhe dhënia e parave me fajde
Ndër 6 variantet e ngritura nga Prokuroria në lidhje me vrasjen e Franc Konomit, një u rrezua menjëherë. Ishte ajo e motiveve të dobëta pas ndonjë konflikti të çastit. Nuk u gjet asnjë informacion në lidhje me këtë version hetimor. U hetua si një pistë e mundshme edhe gjobëvënia ndaj ndonjë biznesmeni, nisur edhe nga precedenti i mëparshëm. Fakti që ishte dënuar një herë në vitin 2005 për një akuzë të tillë. Por as për këtë version nuk u gjetën informacione e të dhëna, duke sjellë përjashtimin nga pistat hetimore. Një tjetër pistë që u rrëzua gjatë hetimeve, ishte se vrasja mund të kishte ndodhur si pasojë e parave të dhëna me fajde tek persona të ndryshëm. Policia referonte në Prokurori se, Franc Konomi pak kohë para se të vritej, u kishte dhënë para me përqindje disa personave të ndryshëm, që punonin kryesisht në biznesin e ndërtimit. Më ata ai lidhte kontrata të rregullta dhe për këto lloj fajdesh ai kishte mbajtur shënime të sakta duke informuar edhe babanë e tij. Paratë ai i jepte me shumë garanci dhe tek persona të njohur të tij.
Stefan Konomi: “Vetëm 3 ditë kishte që kishte ardhur. Franci jeton prej vitesh në Gjermani, me gruan dhe dy fëmijët, vajzën dhe djalin. Ndërsa para se të vinte këtu ndodhej në Greqi me pushime, ku ishin edhe e ëma dhe dy vëllezërit. Para 3 ditësh erdhi nga Greqia dhe as unë nuk kisha arritur dot të çmallesha me të”.
Stefan Konomi: “Ai udhëtonte shumë nga Shqipëria në Gjermani dhe anasjelltas. Atje jeton me familjen. Në Hamburg ka gruan, djalin dhe vajzën. Nuk e di nëse do të mund të vijnë për lamtumirën e fundit, pasi ndodhen larg, e kjo që na ndodhi erdhi papritmas. Nuk ruhej nga asgjë. Këtu në Tiranë kishte lokalin “Natyra”, ku janë zhvilluar edhe aktivitete të ndryshme. Kur vinte, i pëlqente të qëndronte i vetëm në shtëpinë tonë private, pasi në apartament jetoj unë”.
Pista e gjashtë
Vrasjet pas vitit 1997, kryesisht të Naim Zyberit dhe Mirit të Xhikes
Një nga versionet që vijon të mbahet si një pistë e mundshme edhe pas 13 vitesh nga vrasja e Franc Konomit, janë krimet e rënda të ndodhura pas vitit 1997. Konomi ishte lidhje e ngushtë shoqërore e Naim Zyberit, me të cilin në vitin 1992 i dolën kundër edhe Gaz Muçës. Pas vrasjes së tij, ata që njiheshin si gangsterrët e Tiranës ranë në qetësi. Nuk po ndodhnin më vrasje, pasi ata ishin të zënë duke eksploruar tregtinë e drogës, të panjohur mirë deri në atë kohë. Por seriali i vrasjeve nisi sërish, pas dyshimeve se dikush kishte spiunuar në polici aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm.
Fjalët qarkullonin shpejt në atë kohë dhe u përfol se informator i Policisë ishte Ardian Spahiu i njohur si Ad Topalli, i cili ishte mik i ngushtë i Naim Zyberit. Pas këtij momenti u aktivizua grupi tjetër, ai që drejtohej nga Fatmir Rama, i njohur si Miri i Xhikes. Bashkë me kushëririn e tij Artur Grori dhe miq të tjerë bëjnë planin për vrasjen e informatorit të supozuar, që sipas tyre ishte Ardian Spahiu. Edhe pse më vonë rezultoi që ky ishte një informacion i pavërtetë i përdorur nga bandat rivale për t’i vënë dy grupet përballë njëri-tjetrit. Spahiu vritet dhe në atë ngjarje mbetet i plagosur edhe Miri i Xhikes.
Pas vrasjes së shokut të tij, Naim Zyberi vendos të hakmerret ndaj Fatmir Ramës në vitin 1997. Ai bashkë me një shok i shkojnë në shtëpi, ku përballen me Artur Grorin. Pasi nisen të largohen, rrugës ndryshojnë mendje dhe kthehen ta vrasin. Vëllai i vetëm i tij, Arben Grori, tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm, vendos të hakmerret dhe i vihet pas Naim Zyberit edhe në Itali, derisa e pikas në një bar në Torino. Aty ndodh një shkëmbim zjarri dhe Zyberi plagoset rëndë. Pas kësaj ngjarjeje, Policia italiane e dërgon Naim Zyberin në spitalin “San Paolo” ku ruhej nga dy efektivë. Por, më 6 gusht 1997 vrasësit i shkojnë edhe aty. Askush nuk kuptoi asgjë, por më pas karabinierët panë që Naim Zyberi ishte vrarë. Në dorashkat plastike që vrasësi kishte hedhur në kosh, Policia fiksoi gjurmë gishtash dhe kampion djerse që pas analizave të ADN-së rezultoi se i përkisnin Arben Grorit. Ndërsa gjatë kryerjes së krimit ishte ndihmuar nga miku i tij, Gerd Gjenerali.
Ndërsa vite më vonë, më mbrëmjen e datës 29 mars 2003 Fatmir Rama, i njohur si Miri i Xhikes, u ekzekutua kur ishte në shoqërinë e disa të njohurve të tij, mes të cilëve edhe Ylli Kelmendit, që vitet e fundit kishte krijuar miqësi edhe me Franc Konomin. Ata kanë qenë të ulur në një nga tavolinat e restorantit të katit të parë të kompleksit “Kartodrom 2000”, që ndodhej në periferi të qytetit të Tiranës dhe në afërsi të fshatit Lundër. Rreth orës 20:00, dy persona të maskuar janë afruar me shpejtësi dhe pa rënë në sy në pjesën e jashtme të lokalit kanë filluar të qëllojnë me armë në drejtim të tavolinës ku ishin ulur personat e mësipërm.
Ngjarja që u quajt “Masakra e Kartodromit”, u zbardh nga një fije floku e mbetur në një kapuç të zi. Për këtë ngjarje u kërkua ndihmë nga Italia për kryerjen e analizës së AND-së. Gjykata e Tiranës ka dënuar të arrestuarin e vetëm për vrasjen e Mirit të Xhikes, Lavdrim Tufën. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie, por tani ka fituar lirinë.
Pavarësisht se mbetet si një version i mundshëm në dosjen e vrasjes së Franc Konomit, duket se nuk ka shumë të dhëna që ta lidhin ngjarjen me këto krime të hershme. Megjithatë çdo gjë është e mundur.
Tri ditët e fundit të jetës Franc Konomi është ndjekur këmba- këmbës nga vrasësit e tij. Një motor, si ai me të cilin kanë udhëtuar ekzekutorët mesditën e së enjtes drejt sheshit “Avni Rustemi”, ka lëvizur përreth shtëpisë së viktimës në zonën pranë “Shkollës së Kuqe” në Tiranë, duke survejuar me kujdes çdo lëvizje të “shënjestrës” së tyre. Në një kohë që edhe skuadra e antidrogës po vëzhgonte lëvizjet e Franc Konomit, për shkak të dyshimeve për lidhje me trafikun e kokainës. Edhe pas vrasjes së tij ndodhi e njëjta gjë. Agjentë civilë vëzhguan të gjithë ceremoninë e varrimit të tij, që nga momenti i nisjes nga shtëpia, afër “Shkollës së Kuqe” e deri në varrezat e Sharrës.
Por sot, 13 vjet më vonë, pistat e shumta të vrasjes së tij, sipas dokumenteve hetimore që redaksia disponon, zbulojnë rrjetën e merimangës së bandave kriminale të Tiranës, të cilat lindën si grupe të fortësh, u zhvilluan si linja të trafikut të drogës, por përfunduan të gjitha në vdekje, vrasje e burg, për hakmarrje e hesape të prishura droge./abcnews.al