Në tetor të vitit 2017 një ngjarje e rëndë tronditi Maltën. Një gazetare investigative në Maltë, 53-vjeçarja Daphne Caruana Galizia, humbi jetën pas shpërthimit të makinës me të cilën po udhëtonte. Pasi gazetarja Daphne Caruana Galizia u vra në vitin 2017, u shfaqën lidhje që dyshonin se bomba e përdorur për të hedhur në erë makinën e saj e kishte origjinën nga Shqipëria.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, i biri i gazetares ka thënë për The Shift se sipas tij, qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë hetim për këtë ngjarje të rëndë.
“Bomba që u përdor për të vrarë nënën time erdhi nga Shqipëria, nëpërmjet Italisë. Furnizohej nga krimi i organizuar shqiptar”, tha Matthew për gazetën The Shift.
Matthew Caruana Galizia vë në dyshim mungesën e veprimeve nga autoritetet.
“Qeveria e Shqipërisë nuk ka bërë asnjë hetim se si një bombë u furnizua nga njerëzit në Shqipëri dhe më pas u përdor për të vrarë një gazetare në Maltë. Nuk kanë bërë asgjë. Ata nuk kanë bërë absolutisht asgjë”, shtoi ai.
Ai më tej vuri në pikëpyetje sesi kriminelët maltezë ishin në gjendje të siguronin kaq lehtë një bombë nga krimi i organizuar shqiptar dhe që të kishte zero pasoja në vend. Pajisja shpërthyese dyshohet se iu dha vrasësve të akuzuar, Robert Agius dhe Jamie Vella, të cilët janë dënuar në Maltë. Besohet se Agius udhëtoi në Shqipëri të paktën tre herë para atentatit.
“Nuk ka mundësi që kryeministri Edi Rama të mos e dijë se ekziston ky problem”, tha Caruana Galizia. “Nëse ai nuk e di që furnizimi me bomba nga Shqipëria është problem, atëherë duhet të pushojë absolutisht të gjithë në shërbimet e tij inteligjente. Nuk ka asnjë mënyrë që ai të mos dijë për këtë.”
Burimet bëjnë me dije se klani famëkeq Santapaulo-Ercolano i lidhur me Maltën ka nisur bashkëpunimin me bandat shqiptare në qytetin jugor të Vlorës. Të përfshirë në trafikun e hashashit, hetuesit italianë besojnë se marrëdhënia ka vazhduar prej vitesh, kohë gjatë së cilës krerët dhe figurat kryesore të Ercolanos vizituan Shqipërinë, ndonjëherë për muaj të tërë.
Gjithashtu besohej gjerësisht se mafia shqiptare po forcohet aq shumë sa po ua marrin pushtetin italianëve në disa vende.
Ndërkohë, origjina e mundshme e bombës që vrau Caruana Galizia e kombinuar me vizitat e Agius në vend nuk është trajtuar apo hetuar nga qeveria shqiptare.
Pavarësisht pyetjeve të “The Shift” të dërguara me email dhe drejtpërdrejt tek zv.ministri i Brendshëm në disa raste, nuk u mor asnjë përgjigje.
“Nuk ka asnjë deklaratë nga qeveria. asgjë. Absolutisht asgjë”, tha Matthew Caruana Galizia.