Shtetet e Bashkuara do t’i imponojnë Rusisë “pasojat e duhura” si kundërpërgjigje për vrasjen e gazetarit amerikan Brent Renaud, këtë të diel në Ukrainë.
Këshilltari i Joe Biden për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, e komentoi lajmin e vdekjes së gazetarit si të tmerrshëm dhe tha se SHBA po punonte me zyrtarët ukrainas për të verifikuar si ndodhi ngjarja.
Ai përsëriti edhe një herë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se Rusia do të paguante “një çmim të rëndë” nëse përdorte armë kimike në Ukrainë. Ai shtoi se SHBA ishte në kontakte të drejtpërdrejta me Moskën, për ta paralajmëruar që të mos ndërmerrte sulme të tilla.
“Përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë do të ishte një tejkalim tronditës i vijës që Putin ka shkelur tashmë, sa i përket sulmit që i ka bërë ligjeve dhe normave ndërkombëtare”, tha Sullivan për rrjetin televiziv amerikan, CBS.
Sullivan ka paralajmëruar gjithashtu, se nëse Rusia “godet” territorin e NATO-s, blloku do të përgjigjet me “forcën e plotë”. Sullivan tha se kjo do të nxiste Nenin 5 të NATO-s, i cili thotë se një sulm ndaj një aleati të NATO-s do të konsiderohej një sulm ndaj të gjithë aleatëve.
“Nëse do të ketë një sulm ushtarak në territorin e NATO-s, ai do të shkaktonte thirrjen e Nenit 5 dhe ne do të sjellim forcën e plotë të aleancës së NATO-s për t’iu përgjigjur atij”, paralajmëroi ai.
“Gjithçka që unë do të them është se nëse Rusia sulmon, qëllon, godet territorin e NATO-s, aleanca e NATO-s do t’i përgjigjet kësaj”. Kjo deklaratë vjen vetëm disa orë pasi forcat ruse hodhën 30 raketa në një bazë ushtarake në Lviv, vetëm 15 milje nga kufiri polak – që është dhe territori i NATO-s.