Detaje të reja kanë dalë nga dosja e prokurorisë për atentatin ndaj Gentjan Bejtjas, që ndodhi të premten në zonën e Fushë Krujës. Njëri prej personave të arrestuar, që ka disa identitete, Ilir Beqaraj alias Brahimi, alias Mançellari, rezulton që të jetë kushëriri i Ylli Brahimit, krahut të djathtë të Ervis Martinajt. Vetë Ylli Brahimi iu ka shpëtuar disa atentateve, ku janë vrarë persona të afërt me të.
Atentati ndaj Bejtjas po hetohet nga një grup i posaçëm me hetues të policisë dhe prokurorisë së Tiranës. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorët e atentatit ndaj Bejtjas, pas djegies së mjetit, janë larguar nga vendngjarja me një ‘Golf 5’, që rezulton në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, gjithashtu i arrestuar nga policia.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.
Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intererarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.
Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.
Po kështu ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.
Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip Golf me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit E. H. dhe shoqërimin në ambientet e policisë.
Në vazhdim të veprimeve hetimore u bë e mundur gjetja dhe shoqërimi në ambientet e policisë edhe të shtetasit Ilir Beqaraj.