Aktualitet Vrasja e Gentjan Bejtjas, Policia: Kemi arrestuar Ilir Brahimin dhe Edison Haxhiun...

Vrasja e Gentjan Bejtjas, Policia: Kemi arrestuar Ilir Brahimin dhe Edison Haxhiun si të dyshuar

Pesë ditë nga ekzekutimi mafioz i Gentjan Bejtjas, në fshatin Larushkë të Fushë Krujës, Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona, si të dyshuar.

Policia thotë se në pranga kanë rënë Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari 41-vjeç dhe Edison Haxhiu, 30 vjeç.

Ilir Brahimi akuzohet si një prej autorëve të vrasjes së Bejtjas, ndërsa Edison Haxhiu është personi që siguroi kushtet për të kryer vrasjen e 42-vjeçarit.

“Në përfundim u arrestua në flagrancë Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, i datëlindjes 21.04.1983, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuara nga nenet 278/2 dhe 186 të Kodit Penal. Po kështu ky shtetas është i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së shtetasit Gentjan Bejtja. U ndalua Edison Haxhiu, i datëlindjes 30.07.1994, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë, për kryerjen e veprës penale, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Por si arriti policia të binte në gjurmët e autorëve?

Policia thotë se pasi qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të Bejtjas, në serën që ndodhej në oborrin e shtëpisë së tij, autorët u larguan në aksin rrugor Larushkë-Thumanë dhe pas kalimit të mbikalimit të Fushë-Krujës u kthyen majtas, duke djegur makinën e tyre në fshatit Hasan, aty ku dhe u gjet më pas nga hetuesit. Ishte analizimi i kamerave të sigurisë që bëri të mundur identifikimin e një makine tjetër. Bëhej fjalë për një Golf, në pronësi të të arrestuarit Edison Haxhiu e që përdorej edhe nga Ilir Brahimi. Pikërisht ky automjet dyshohet se u përdor për t’u larguar pas djegies së makinës së përdorur në vrasje dhe u bë shkak për shoqërimin e pronarit të tij, e më pas të një prej autorëve të dyshuar.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë- Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm. Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intererarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë. Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Golf” me targë AB960GG, në pronësi të Edison Haxhiu, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Po kështu ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip Golf me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu dhe shoqërimin në ambientet e policisë. Në vazhdim të veprimeve hetimore u bë e mundur gjetja dhe shoqërimi në ambientet e policisë edhe të Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari”.

Më pas, policia ushtroi kontroll në shtëpinë e Ilir Brahimit. Atij iu gjetën dy armë zjarri, fishekë, radiomarrëse, si dhe një pasaportë e kartë identiteti me shtetësi kosovare.

“Gjatë kontrollit të banesës së Ilir Brahimit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin VALTER me tetë fishekë, një armë zjarri e markës BENELLI e cila mbahej me lejen e organeve të policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse me mbishkrimin MIDLAND XT70, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Brahimit, një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Brahimit, dy aparate celular të markës iPhone dhe një aparat celular i markës SAMSUNG”.

Akuzat ndaj të arrestuarve, hetimet vijojnë! Dyshohet për më shumë se një autor

Policia thekson se të gjitha provat e administruara i janë nënshtruar ekzaminimeve kriminalistike dhe janë siguruar elemente provash me perspektivë për hetimin e mëtejshëm të ngjarjes.

“Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vazhdon me intensitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të autorëve të tjerë. Për ecurinë e hetimit do të informojmë median dhe publikun në vazhdimësi”, thotë policia në njoftim.

Roli i Ilir Brahimit në vrasje nuk specifikohet nga policia. Në atentatin ndaj 42-vjeçarit Gentjan Bejtja dyshohet se morën pjesë 4 persona. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë kohës që 42-vjeçari po ujiste domatet në serë dhe autorët i shkuan nga pas duke lëshuar breshëri plumbash ndaj tij. Njëri prej autorëve po ashtu kërcënoi me armë nusen dhe dy fëmijët e viktimës.

Edhe sa i takon motivit të kësaj ngjarjeje rëndë, policia nuk ka dhënë ende detaje, megjithatë pista kryesore mbetet ajo e hakmarrjes. Kujtojmë se ndaj Bejtjas ishin bërë më herët 3 atentate, më i rëndi ai i 4 Korrikut 2023, ku nga breshëria e plumbave në shtëpinë e 42-vjeçarit mbeti i vrarë kunati i tij dhe u plagosën 2 djemtë e mitur të Bejtjas.