Kancelarja gjermane Angela Merkel do të udhëtojë në Rusi më 11 janar për bisedime me Presidentin rus Vladimir Putin, vetëm për të folur për krizën që u ndez nga vrasja e gjeneralit kryesor iranian Qasem Soleimani nga një sulm me dron i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kremlini njoftoi për takimin dypalësh, duke thënë se Merkel ishte ftuar nga Putin për këtë vizitë, ku do të diskutohet edhe për situatën në Siri, Libi dhe Ukrainë. Zëdhënësi i Merkel tha se Kancelarja do të shoqërohej në këtë udhëtim edhe nga ministri i Jashtëm Heiko Maas.
Soleimani, i cili konsiderohej si njeriu i dytë më i fuqishëm në Iran, u ekzekutua të premten nga një dron amerikan. Sulmi ndaj tij ka acaruar në maksimum armiqësinë mes Republikës Islamike dhe Amerikës, aq sa nuk mund të parashikohet se si mund të përshkallëzohet në ditët dhe javët në vijim.