Një javë pas ekzekutimit me armë zjarri të Jurgen Kurtit në Tiranë, policia ka arrestuar 3 persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në pranga u vunë shtetasit e identifikuar si Elsi Levendi 21 vjeç, lindur në Athinë dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi, 33 vjeç, lindur në Patos dhe baunes në Patos dhe Olsi Qalliaj 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.
Si dhe u bë shpallja në kërkim e një shtetasi tjetër.
“Nga informacionet e grumbulluara, provat e administruara dhe të sekuestruara, si dhe tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se autorët e kësaj ngjarje janë shtetasit e mësipërm së bashkë me një shtetas tjetër të shpallur në kërkim“, sqaron policia.
Ndërkohë gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e këtyre shtetasve policia gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për tu larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze.
Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një sasi prej 2470 Euro e lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.
Veprimet hetimore janë në vazhdim e sipër për të bërë të mundur dokumentimin e plotë me prova ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe për dokumentimin e motiveve të kësaj ngjarje.
Për arsye hetimore policia nuk bën me dije të dhëna të tjera pasi cënojnë hetimin.