Klodjan Bane, autor i dyshuar për ekzekutimin e Jurgen Kurtit mbrëmjen e 18 Marsit në Tiranë, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit.
Për prangosjen e 38-vjeçarit me orgjinë nga Patosi, uniformat blu kanë kërkuar bashkëpunim edhe të homologëve të tyre të pikave të kalimit kufitar.
Nga sistemi TIMS, autori i dyshuar i krimit, Klodjan Bane nuk rezulton të ketë kaluar kufirin. Por nuk përjashtohet mundësia që 38-vjeçari të jetë larguar nëpërmjet kufirit të gjelbër nëpërmjet një identiteti të rremë.
Gjithashtu, ABC News ka mësuar nga grupi hetimor se po negociohet me familjarët e Klodjan Banes për të bërë të mundur dorëzimin e tij vullnetar. Emri i Klodjan Banes u zbulua për herë të parë gjatë dhënies së dëshmisë në polici, nga Olsi Qalliaj, në pronësi të të cilit ishte automjeti tip “Benz”, që u përdor nga autorët e dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit Jurgen Kurti.
I pari që ra në gjurmë e grupit hetimor ishte Elsi Levendi. 21-vjeçari ruante lëvizjet e viktimës Jurgen Kurti, duke njoftuar edhe anëtarët e tjerë të grupit. Sipas provave të siguruara nga grupi hetimor, Leventi, Qalliaj dhe Berberi dyshohet ta kenë ndihmuar Klodjan Banen me makinë, me gjetjen e armës dhe me gjurmimin e Jurgen Kurtit prej dy javësh.
Për tre të arrestuarit, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa për Banen u vendos në “arrest në burg në mungesë”.