Detaje të reja kanë dalë në dritë për ngjarjen e ndodhur pak pas mesnate në rrugën “Xhanfize Keko” në kryeqytet, ku u ekzekutua me breshëri plumbash, Klaudio Prendi.
Agjentët e policisë kriminale janë duke këqyrur makinën tip “Mercedes Benz G-Class”, të viktimës, e cila ndodhet aktualisht në Laboratorin e Këqyrjes së Automjeteve.
Ndërkohë, makina e autorëve e llojit “Audi A4”, e cila u gjet e djegur në zonën e Farkës, ka pasur targa greke të mbivendosura.
Mësohet se ende nuk është këqyrur numri i shasisë së mjetit, pasi është dëmtuar nga djegia. Agjentët e policisë kriminale po përpiqen të përftojnë te dhëna për të mësuar pronësinë e makinës, nëse rezulton apo jo e vjedhur.
Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit të Krimeve të Rënda, u ekzekutua gjatë mesnatës në zonën e Xhamllikut. Ai u qëllua me breshëri plumbash me silenciator, sapo doli nga një lokal rreth orës 00:36.
Shokët e viktimës dalë kanë me vrap nga lokali. Kanë hipur në makinën e viktimës dhe janë nisur drejt spitalit të Traumës.
I riu humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.
Mësohet se makina e autorëve ka ardhur nga rruga e Freskut. Sapo i riu ka dalë nga lokali dhe është futur në makinën e tij, autorët e kanë qëlluar ku plumbat e kanë kapur në kokë dhe kraharor, ndërsa autorët janë larguar menjëherë me shpejtësi drejt qendrës.
Viktima Klaudio Prendi kohët e fundit kishte disa sherre me persona të tjerë, konflikte që po hetohen nga policia. Ai nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga jashtë shteti.
Në njoftimin e shpërndarë mëngjesin e sotëm, policia thotë se është ngritur një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, që po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.