Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, në një reagim në mediat sociale ka kërkuar drejtësi dhe të zbardhet vrasja e të riut Klodian Rasha. Zingraf shprehet se ai është prekur shumë nga vdekja dhe shton se ngjarjet e fundit po shihen me shumë shqetësim nga selia diplomatike që ai drejton.
“Ngjarjet e ditëve të fundit më mbushin me shqetësim dhe trishtim. Vdekja e të riut më ka prekur edhe mua shumë. Është e rëndësishme dhe e drejtë, që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht. Mendimet e mia janë pranë familjes së viktimës”, shkruan ambasadori.
Më tej Zingraf shprehet se dhuna nuk është zgjidhja, ndaj bën thirrje që të gjitha palët të qetësojnë situatën.
“Por ajo çka na mëson gjithashtu ky rast tragjik është – dhuna nuk mund të jetë zgjidhja. Ushtrimi i lirë i të drejtës për protesta është thelbësor për çdo demokraci. Por, edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna”, përfundon reagimin diplomati.
Edhe ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman, ka reaguar në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia. Norman thekson se drejtësia duhet të vendoset për këtë rast, ndërsa shton se zgjidhja duhet të vijë në mënyrë paqësore.
“I shprehim solidaritetin dhe ngushëllimet familjes së Klodian Rashës. Drejtësia duhet të vendoset. Dhe duhet parë se po vendoset.
Ne e kuptojmë pse njerëzit janë të zemëruar dhe mbështesim të drejtën për protestë paqësore. Le t’i zgjidhim gjërat në mënyrë paqësore.”
Më herët një reagim lidhur me protestat ka ardhur dhe nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim dhe ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca. Ata kërkuan që ngjarja të hetohet dhe se dhuna duhet të shmanget.
Ndërkohë në Tiranë po vijon protesta dhe dhuna mes qytetarëve dhe efektivëve të policisë.