Efektivi që akuzohet për vrasjen e Klodian Rashës do të qëndrojë në burg. Kështu vendosi Gjykata e Tiranës, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë.
Gjatë seancës, efektivi i Policisë ka shfaqur pendesë të thellë. Ai ka kërkuar praninë e familjarëve të 25-vjeçarit Klodian Rasha për t’u kërkuar ndjesë publike.
“Kam vrarë një njeri. Nuk kam asnjë të drejtë të kërkoj mbrojtje”, i tha ai gjykatës para vendimit.
Klodian Rasha, 25 vjeç, u qëllua për vdekje me dy plumba, gjatë natës mes 8 dhe 9 dhjetorit, pasi po e ndiqte sepse kishte shkelur orën policore, të vendosur për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vend. Ky i fundit, është arrestuar për tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes.
Prej dy ditësh, protesta të shumta janë organizuar në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ku nuk kanë munguar edhe përleshjet me Policinë. Të enjten, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dha dorëheqjen nga posti. Por, në rrjetet sociale është paralajmëruar një tjetër protestë gjatë të premtes në mbrëmje.