Aktualitet Vrasja e Kudret Saliajt, dënohet me burgim të përjetshëm Mexhit Picari dhe...

Vrasja e Kudret Saliajt, dënohet me burgim të përjetshëm Mexhit Picari dhe me 30 vjet burg Dhurata Picari

Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Mexhit Picarin dhe me 30 vite burg Dhurata Saliaj Picarin. Ata akuzohen për organizimin e vrasjes së Kudret Saliajt.

Kujtojmë se më 4 qershor 2021, Mexhit Picari vrau me armë zjarri ish-dhëndrin në një lokal afër Gjykatës së Tiranës ndërsa la të plagosur avokatin e tij.

Çifti Dhurata e Kudret Saliaj ishin në proces divorci.

Vrasja e Kudret Saliajt nuk erdhi pas një konflikti të çastit, por ishte organizuar nga ish-bashkëshortja e tij, Dhurata dhe babai i saj, Mexhit Picari. Në dosjen e prokurorisë të dy akuzohen për organizimin e vrasjes pasi janë vëzhguar lëvizjet nga filmimet e kamerave të sigurisë në zonën pranë gjykatës së Tiranës ku ndodhi krimit.

Fillimisht Nexhipi dhe Dhurata kanë dalë bashkë nga shtëpia në Vorë për të shkuar në gjykatë dhe sapo kanë mbërritur aty, kanë vëzhguar ambientet rrotull godinës për të gjetur Kudretin.

Në dosje janë detajuar edhe lëvizjet e viktimës para ekzekutimit. Në orën 11:36, thonë prokurorët, Kudreti shkoi te lokali, ku ishte edhe avokati i tij Adriatik Cama. Pas 10 minutash, atyre u bashkohet edhe një punonjëse sociale dhe pak më pas, ne lokal futen edhe Mexhit Picari dhe vajza e tij, Dhurata.

Filmimet tregojnë se pas 48 sekondash Dhurata ndërron vend, ulet më afër Nexhipit, që nxjerr armën nga çanta e saj. Disa momente më pas, ai mbush armën, qëllon ndaj Kudret Saliajt dhe largohet. 9 sekonda më pas largohet edhe Dhurata nga lokali pasi ka parë ish-bashkëshortin e saj të ekzekutuar.