25-vjeçari Madrit Ulqinaku mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës në Elbasan pranë stadiumit të qytetit. Policia thotë se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive banale. Ndërsa gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj raporton se dyshohet që sherri të ketë nisur fillimisht në rrjetet sociale.
Më pas palët janë takuar pranë vendit ku ndodhi krimi. Raportohet se kanë qenë 4 persona në këtë takim, viktima, autori i dyshuar dhe 2 miq të autorit.
Në këtë takim, gazetari Besar Bajraktaraj tha se ka patur edhe një goditje me shpullë nga ana e viktimës. Më pas palët janë larguar.
Por pikërisht teksa viktima Madrit Ulqinaku po hipte në makinën që e kishte të parkuar në anë të rrugës, u qëllua me armë nga autori, duke humbur jetën në vend. Autori i dyshuar i kësaj ngjarje, 20-vjeçari me iniciale K.Sh. u largua me makinë nga vendngjarja pas krimit. Ai vijon të jetë në kërkim nga policia.
Bëhet me dije se 25-vjeçari Ulqinaku ishte kthyer në vendlindje prej pak ditësh pasi jetonte në Itali. Makina të cilën përdorte e kishte marrë me qira.
Një detaj tjetër i rëndësishëm është fakti që gëzhoja e armës me të cilën u qëllua Ulqinaku nuk është gjetur ende, teksa grupi hetimor vijon kërkimet në vendngjarje.
Kjo është dinamika e ngjarjes që dihet deri në këto momente, por ende mbetet i paqartë motivi i sherrit që nisi mes të dyve./ Tv Klan