Marigona Osmani humbi jetën si pasojë e politraumës, dhunës së ushtruar ndaj saj. Kështu thuhet në certifikatën e autopsisë të autoriteteve kosovare, ku evidentohet se 18-vjeçares i ishin thyer gjymtyrët.
Një zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, ka thënë për Klan Kosova se raporti i autopsisë nuk ka përfunduar ende, por ka një certifikatë që tregon dhe shkakun e vdekjes.
“Është një rast shumë i rëndë. Ka të bëjë me thyerje të gjymtyrëve, shkurt shqip, një lloj dhune e përdorur që e ka shkaktuar edhe vdekjen e saj, mirëpo raporti i autopsisë do ta tregojë qartë dhe saktë, shkakun e vdekjes, kohën e vdekjes, mjetet të cilat janë përdorë për vdekje, ndërsa analizat laboratorike i dhanë të dhënat tjera të cilat janë të domosdoshme kur kryhet një autopsi dhe raport i cili i dërgohet prokurorisë për hetime të mëtejshme”, u shpreh Nazlije Balaj.
Për vrasjen e 18-vjeçares është arrestuar i dashuri i saj, Dardan Krivaqa, si dhe një person tjetër. Adoleshentja kishte bashkëjetuar 2 muajt e fundit me Krivaqën. Por dyshohet se ai është personi që e ka dhunuar për vdekje. Tre ditë më parë, Krivaqa së bashku me një shokun e tij e lanë të vdekur Marigonën në derën e spitalit në Ferizaj të Kosovës.