Vrasja e 18-vjeçares Marigona Osmani nga i dashuri i saj në Kosovë, ka tronditur opinionin publik dhe ka shkaktuar një valë të fortë reagimesh.
Dardan Krivaqa, i dashuri i vajzës, dyshohet se është personi që e ka vrarë dhe është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Për arrestimin e tij ka ofruar shpërblim monetar edhe politikani dhe biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli.
Ky i fundit në një postim në rrjetet sociale, ka reaguar i revoltuar për këtë ngjarje të rëndë, duke thënë se kushdo që i jep informacione policisë për arrestimin e autorit të dyshuar, do t’i ofrojë shpërblim.
“Unë ofroj shpërblim për këdo që i jep informacion të vlefshëm Policisë së Kosovës që çon në arrestimin e vrasësit të Marigonës. Si baba i tre vajzave, ndihem i trishtuar për këtë ngjarje të rëndë”, shkruan ai në Facebook.
Çfarë dimë deri tani për vrasjen e 18-vjeçares në Kosovë?
Marigona Osmani u la e vdekur në derën e spitalit në Ferizaj të Kosovës nga dy djem të rinj. 18-vjeçarja kishte humbur jetën si pasojë e dhunës fizike ushtruar ndaj saj.
Nga kamerat e sigurisë policia identifikoi dy të rinjtë që e lanë 18-vjeçaren të pajetë përpara spitalit. Njëri prej tyre, Arbër Sejdiu, është tashmë i arrestuar ndërsa në kërkim është personi tjetër, Dardan Krivaqa, i cili ishte dhe i dashuri i vajzës.
18-vjeçarja kishte filluar bashkëjetesën 2 muajt e fundit me të dashurin e saj. Dardan Krivaqa është emër i njohur për policinë. Në rrjetet sociale ai publikonte armë duke promovuar dhunën.