Kontrollet e policisë pas vrasjes së 27-vjeçarit Mehmet Qema në rrugën “5 maji” në Tiranë kanë çuar në pranga 2 persona të tjerë. Policia tha se në banesën e Kristjan Peçit, mik i viktimës janë gjetur disa pajisje kompjuterike dhe 2 grirëse që dyshohet se përdoreshin për kanabis sativa si dhe municione luftarake.
Mbetet i paqartë funksioni i pajisjeve kompjuterike pasi fillimisht u dyshua se përdoreshin për të prodhuar në mënyrë të paligjshme kriptomonedhën Bitcoin, por po verifikohet edhe nëse ato përdoreshin për lojëra fati të paligjshme. Në funksion të tyre ishte kryer edhe një lidhje e paligjshme energjie. Për këtë arsye u vu në pranga edhe një faturues i energjisë elektrike, 34-vjeçari Evis Zeneli që akuzohet për shpërdorim detyre.
Kristjan Peçi u shoqërua nga policia një ditë pas vrasjes për shkak se ai ishte prezent në momentin e vrasjes, por më pas u la i lirë. Një ditë më parë gjykata la në burg Marius Demën, 28-vjeçarin që shkrepi pistoletën duke i shkaktuar vdekjen mikut të tij Mehmet Qema, ndërkohë që ishte duke luajtur me armën.
Në sallën e gjyqit Dema deklaroi se viktimën e kishte si vëlla dhe se gjithçka ndodhi aksidentalisht. Gjykata liroi ndërkohë të rinjtë e tjerë që ndodheshin në tavolinë. Për Xhuljano Koçin dhe Frenkli Myftarin u la masa ‘arrest shtëpie’, ndërsa për Erlind Pekën, Blerim Hotin, Marjus Halilin dhe Eder Pjetrin u vendos “detyrim paraqitje”.