Aktualitet Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Prokuroria kërkon arrest shtëpie për 6 efektivë të...

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Prokuroria kërkon arrest shtëpie për 6 efektivë të Repartit “Shqiponja”

Prokuroria Elbasanit ka nxjerrë prova të reja gjatë seancës së ditës së sotme ku vijon dëgjesa e dëshmitarëve për vrasjen e Pjerin Xhuvanit.

Sipas avokates së çështjes “Xhuvani”, Rezarta Tahiraj, Prokuroria paraqiti prova te reja sipas të cilës 6 efektivët e Repartit “Shqiponja” kishin dijeni për ekzistencën e 6 furgonëve së strukturës së mbrojtës së PD-së si dhe që Paplekaj ka qenë i armatosur.

Mbi këto dyshime, u kërkua edhe masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për 6 efektivët të cilët pak muaj më parë u rikthyen në detyre.

Bëhet fjalë për Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.

Kjo ngjarje u regjistrua disa ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit 2021. Për vrasjen në akuzë është ish-efektivi i forcave speciale RENEA, Arbër Paplekaj, i cili me anë të disa shkresave kërkoi zhvendosjen e gjykimit në një gjykatë tjetër për pretendimin se në Elbasan çështja e tij është e paragjykuar.

Megjithatë të gjithë shkallët e gjyqësorit i thanë jo kërkesave të bëra prej tij. Kjo i hapi rrugë gjykimit të Paplekajt dhe në seancën e radhës do të pyeten dëshmitarët e parë të kërkuar nga Prokuroria.

Vrasja në Elbasan, që ndodhi pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021, shkaktoi reagime të shumta dhe akuza të ndërsjella nga ana e politikës. Partia Demokratike akuzoi socialistët që po blinin vota për të fituar zgjedhjet, ndërsa shumica akuzoi opozitën se kishte ngritur një grup të armatosur për ta përdorur para dhe gjatë zgjedhjeve.

Viktima Pjerin Xhuvani është akuzuar më parë nga Partia Demokratike si organizator i përplasjes me simpatizantët e PD-së në Ditën e Verës në datën 14 mars 2021.