Një efektiv policie është vrarë në Lloznicë të Serbisë mëngjesin e sotëm, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë një përplasje me armë.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, thotë se në skenën e krimit u gjet një pasaportë e Kosovës që i përket Artan Hajrizit.
Daçiçi tha se rasti ka ndodhur pasi policia ka ndaluar një makinë tip “Mercedes” me targa të Tutinit, Serbi, në të cilën tha se ndodheshin dy persona. Në makinë dyshohet të ketë qenë edhe Faton Hajrizi, i arratisur më 6 Korrik nga burgu i Smrekonicës.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, ka reaguar Ministria e Jashtme e Kosovës, e cila u bën thirrje emigrantëve të Kosovës që të shmangin lëvizjen përmes territorit serb.
“Të dashur qytetarë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.