Aktualitet Vrasja e rapsodit dhe mikut të tij, Apeli lë në fuqi vendimin...

Vrasja e rapsodit dhe mikut të tij, Apeli lë në fuqi vendimin “burgim i përjetshëm” për Aleksandër Përdodën

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin “burgim i përjetshëm” për Aleksandër Përdodën, autorin e vrasjes së dyfishtë të rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simonit.

Ai kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Lezhës që e kishte dënuar me burgim të përjetshëm për akuzat “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Moskallëzim  krimi”.

Aleksandër Përdoda kishte kërkuar të shpallej i pafajshëm, por Apeli ka lënë në fuqi dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

“Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri A.P, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.P., për kryerjen e veprës penale të  “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në përfundim të gjykimit, më datë 01.02.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, vendosi lënien në fuqi të vendimit Nr. 162, datë 27.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë”, thuhet në njoftim.

Rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u gjetën të vrarë me armë zjarri më 27 prill të vitit 2020 në afërsi të shtëpive të tyre të vjetra në fshatin Lalm i Vjetër. Pasi kanë ngarkuar një thes me jonxhë, dy burrat kanë vendosur të kthehen në Lezhë, por rrugës dyshohet se janë qëlluar befasisht me armë zjarri nga Aleksandër Përdoda.

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur pas një konflikti pronësie mes Preng Simonit dhe Aleksander Përdodës, 8 muaj para ngjarjes.