Rapsodi Kol Marrani dhe Preng Simoni mbetën të vrarë mesditën e 29 prillit të 2020-s në fshatin Lalm i Vjetër të Lezhës. 60-vjeçarët, miq me njëri-tjetrin, kishin udhëtuar drejt fshatit të tyre për t’u kujdesur për banesat, por u ekzekutuan me breshëri automatiku.
Vrasja e dyfishtë ndodhi në një nga rrugët e fshatit. Ishte djali i njërit prej viktimave që kishte tentuar të fliste në telefon me të atin, por që për disa orë nuk u është përgjigjur thirrjeve. Ai udhëtoi drejt fshatit Lalm i Vjetër, atje ku gjeti trupat e pajetë.
Fillimisht u dyshua se kishin vrarë njëri-tjetrin, pistë e cila ra shumë shpejt dhe pa u bërë ende 24 orë nga ngjarja e rëndë, policia e Lezhës arriti të identifikonte e të arrestonte autorin e dyshuar të ngjarjes. Ai ishte Aleksandër Përdoda.
Në vrasje kishin marrë pjesë 3 persona: Vetëm 1 muaj nga vrasja e dyfishtë, policia arrestoi edhe 35-vjeçarin Agron Lushi i dënuar më parë për plagosje me armë. I arrestuari akuzohej për vrasje në rrethana të tjera cilësuese të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërsa Edmond Përdoda, vëllai i Aleksandrit, ishte shpallur në kërkim menjëherë pas arrestimit të vëllait të tij. Që prej asaj kohe 39-vjeçari rezultonte në kërkim, për t’u arrestuar këtë të premte falë në një operacion të RENEA-s, e cila i zbarkoi në shtëpi, duke e rrethuar nga toka e ajri…
Këto janë pamjet e operacionit në fjalë, ndërsa zyrtarisht, prokuroria e akuzon për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtja pa leje”. Po ashtu, “gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti”. Edmond Përdoda rezulton i dënuar më parë në Greqi për vrasje, ndërsa në Shqipëri, për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.
Shkaqet e vrasjes së Kol Marranit dhe Preng Simonit: Një sipërfaqe toke, pikërisht në vendin ku u gjetën trupat e viktimave. Për pronën, kishte një konflikt të hershëm mes njërit prej viktimave, Kol Murranit dhe vrasësve të dyshuar.