Policia ka identifikuar dhe arrestuar 2 persona, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar autorin e vrasjes së recepsionistit të hotelit në Dhërmi, Eraldo Nevruzit, për të fshehur trupin e pajetë të tij.
Nga veprimet hetimore, autori i dyshuar Gerald Shehu, pasi e ka vrarë me armë zjarri Nevruzin është ndihmuar për të fshehur trupin nga 2 punonjës të hotelit të tij, 33-vjeçari me iniciale D.Q. dhe 30-vjeçari me iniciale D.L., të dy banues në Korçë.
Në banesën ku qëndronte autori i dyshuar i ngjarjes, Gerald Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, uniformat blu kanë gjetur 1 fishek arme zjarri me kapsollë të goditur që u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim.
Ngjarja ka ndodhur rreth 30 minuta pas mesnatës të 6 Qershorit në ambientet e hotelit, konkretisht në dhomën ku akomodohet stafi. Uniformat blu kanë dyshime se në fillim mes viktimës dhe autorit ka patur një përplasje verbale që më pas ka degraduar deri në përdorimin e armës.
Pasi e ka qëlluar, dyshohet se autori, i cili është bashkëpronar i hotelit, e ka larguar 31-vjeçarin me një automjet ngjyrë të bardhë me targa angleze.
Dyshohet se ai e ka fshehur trupin e tij dhe me pas është larguar në rrugë tokësore drejt Greqisë, ku dhe u vu në pranga vetëm pak orë pasi tentoi të largohej.