Për vrasjen e ish-agjentit të anti-drogës në Elbasan, Roland Rexhepit, është identifikuar autori i pestë i përfshirë në krimin e ndodhur në vitin 2009. Policia njofton se për vrasjen e Rexhepit është shpallur në kërkim 50-vjeçari me iniciale G.B., banues në Elbasan.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe partnerët vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij. Dyshohet se 50-vjeçari në bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar Armando Llakaj, Marjus Tafa, Florind Shabani dhe i ekstraduari nga Anglia 2 muaj më parë, Donald Hoxha, kanë vrarë Roland Rexhepin në vitin 2009 në Elbasan.
Roland Rexhepi ka qenë agjent i antidrogës dhe shofer i drejtuesit të Policisë së Elbasanit, Edmond Koseni, në atë kohë. Dy vite më vonë atij iu vra vëllai, Ilir Rexhepi.
Roland Rexhepi është kunati i motrës së Dritan Shemes, 32-vjeçarit që u vra më 19 Tetor të 2006-ës në lagjen Don Bosko në Tiranë.
Rexhepi u dyshua se kishte tentuar që të prishte vendngjarjen në vrasjen e Sokol Çapjes dhe kishte ndihmuar autorët të largoheshin nga Elbasani.
Kujtojmë që kjo ngjarje ka ndodhur më 26 Dhjetor të vitit 2005. Po ashtu, Rexhepi i njohur si “Doda” dyshohej se ishte informator i kapjes së armëve në Fier në Gusht të vitit 2006.