Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Twitter ka shprehur ngushëllimet për familjen e ish-Kryeministrit të Japonisë Shinzo Abe, i cili u qëllua me armë gjatë një takimi elektoral në një qytet të Japonisë.
Mes të tjerash, Rama shkruan se vdekja e tij nxjerr në pah se sa shumë tronditen themelet e demokracisë kur politikanët shihen si armiq dhe jo si kundërshtarë.
“I tronditur dhe i pikëlluar nga vdekja e ish-kryeministrit Shinzo Abe. Ngushëllimet tona më të thella familjes së tij dhe popullit të Japonisë. Vrasja e tij nxjerr në pah se sa shumë tronditen themelet e demokracisë kur politikanët shihen si armiq për t’u shkatërruar dhe jo si kundërshtarë.”
Edhe Presidenti Ilir Meta ka dënuar vrasjen e ish-Kryeministrit të Japonisë Shinzo Abe dhe ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e tij nga jeta në mënyrë tragjike.
Përmes një reagimi, Meta thotë se autori i ngjarjes duhet të marrë dënimin e merituar.
“Thellësisht i tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të ish-Kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe. Dënoj me forcë aktin e rëndë kriminal dhe jam i bindur se autori do të marrë dënimin e merituar!
Duke ruajtur kujtimet e një takimi mbresëlënës gjatë vizitës në Japoni dhe vlerësuar përkushtimin e pandërprerë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ish-Kryeministri Abe do të mbahet mend si një mik i çmuar i Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Ngushëllimet më të ndjera për familjen dhe popullin mik japonez, të cilëve u gjendemi pranë në këto momente të vështira”, thotë Meta.
Ish-Kryeministri japonez Shinzo Abe u qëllua me armë gjatë një takimi elektoral në një qytet të Japonisë.