Aktualitet Vrasja e shqiptarit në Greqi, arrestohen në Korçë 2 autorët e dyshuar

Vrasja e shqiptarit në Greqi, arrestohen në Korçë 2 autorët e dyshuar

Gati një vit pas vrasjes së një shqiptari në Selanik të Greqisë, në Korçë janë arrestuar dy persona të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje.

Pas hetimeve disa mujore në kuadër të operacionit “Radaneci 2021”, në pranga janë vënë Orgel Xhambazi 24 vjeç dhe Medi Ganolli 32 vjeç, të dy persona me precedent penal dhe të dënuar më parë për vjedhje.

Ata akuzohen për vrasjen e 43-vjeçarit S.D. nga Korça, ngjarje e ndodhur në Selanik më 18 Maj 2020 pas një konflikti të çastit.

Arrestimi i tyre u bë pas dokumentimit me anë të provave shkencore nga ana e Policisë së Shtetit dhe Policisë së Korçës, që vërtetonin pjesëmarrjen e tyre në krim.

Në ngjarje është i përfshirë edhe një shqiptar i tretë, i quajtur Romarjo Tahiri i cili është arrestuar në Greqi më 21 Korrik 2020. Të tre këta persona pas një konflikti të çastit kanë vrarë me thikë 43-vjeçarin.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim.