“Larje hesapesh” për çështje nga e kaluara apo aktivitete të paligjshme vitet e fundit?
Kjo është pyetja që po mundon agjentët e policisë greke pas vrasjes së Irakli Devellës, me origjinë shqiptare. 47-vjeçari u ekzekutua të dielën në Thrakomakedones ndërsa shoku i tij, Edi Lolo, u plagos rëndë.
Viktima, baba i dy fëmijëve, ka lindur në Sarandë. Siç shkruajnë mediat, duket se 47-vjeçari e kishte lënë pas krahëve historinë e tij kriminale, por askush nuk mund të jetë i sigurt për këtë gjë.
“Kanë kaluar shumë vite që prej 2011-ës, kur emri i tij u përfshi në një çështje për zhvatje dhe mashtrim. Gjatë kësaj kohe nuk kemi informacion se po vazhdonte jetën e tij të paligjshme”, tha një oficer i policisë i përfshirë në hetimin e rastit.
Në vitet e fundit, 47-vjeçari ishte pronar i një kafeje në një zonë të Peristerit. Kafeja në Thrakomakedones ku ai u ekzekutua, ishte një vend ku shkonte shpesh. Dhe duket se autorët e kanë ndjekur dhe kanë qenë në dijeni të këtij zakoni dhe për këtë arsye zgjodhën ta ekzekutonin aty.
Zougla shkruan se për viktimën kanë shkuar shumë informacione që po vlerësohen nga hetuesit. Njëkohësisht po punohet që të gjendet makina tip “Polo” që përdorën autorët. Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të mjetit. Rruga që kanë ndjekur autorët është shumë e rëndësishme për hetimet, për të zbuluar identitetin e autorëve.
Ndërkohë sa i përket 44-vjeçarit të plagosur, Edi Lolo, për policinë nuk ka dyshime se ai nuk ka qenë në shënjestër të autorëve. Doktorët thonë se ai ndodhet në gjendje kritike dhe do të duhet kohë derisa ai të japë një deklaratë për policinë.