Vrasja e çiftit të të moshuarve nuk është më mister. Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe ka bërë të ditur se një konflikt çasti dhe mosmarrëveshje mes Kosta Ilias dhe fqinjit të tij, 69-vjeçarit Thoma Mastora ka shkaktuar krimin e dyfishtë në fshatin Bodrisht të Dropullit.
Për ngjarjen e rëndë të raportuar 3 ditë më parë, të vrasjes të çiftit të bashkëshortëve në banesë, Policia ka vënë në pranga fqinjin e tij, 69-vjeçar për vrasjen e 2 të moshuarve. Ky i fundit ka qenë i dënuar më parë për vjedhje.
Gjatë kontrollit të banesës së 69-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi sendin e dyshuar të krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës dhe prova të tjera që janë dërguar për ekzaminim. I moshuari akuzohet për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në brendësi të oborrit të banesës është gjetur i pajetë Kosta Ilia 84 vjeç, lindur e banues ne Bodrishtë dhe në brendësi të banesës është gjetur e pajetë Kleoniqi Ilia 88 vjeçe, lindur e banuese në Bodrishtë. Nga veprimet hetimore të kryera me ekspertët kriminalistë dhe mjeko-ligjorë u arrit në konkluzionin se viktimat ishin goditur me sende të forta dhe prerëse duke u shkaktuar vdekjen.
Nga kontrolli i ushtruar në banesë u arrit të gjendej, fiksohej dhe sekuestrohej me cilësinë e provës materiale përveç provave të tjera dhe një vlerë e konsiderueshme rreth 5 milionë Lekë të reja që çifti i të moshuarëve kishte në banesë.
Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë është punuar nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Instituti i Policisë Shkencore dhe të Mjekësisë ligjore nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë dhe prokurores së çështjes.