Detaje të reja janë zbardhur nga përplasja me armë zjarri që trondit Athinën dhe përfundoi me tre viktima me shtetësi shqiptare.
Mediat fqinje raportojnë se i pari që nisi të qëllonte ishte 48-vjeçari nga Korça Andon Tefi, ndaj rivalit të tij në tregun e narkotikëve, Armando Lamaj. Ai më pas u largua me një automjet tip “Mercedez-Benz” ku mori zvarrë viktimën 23-vjeçar dhe tentoi të arratisej, duke lënë të plagosur edhe dy policë.
Hetuesit e policisë greke janë të bindur që ngjarja ka të bëjë me larje hesapesh mes bandave të drogës, kjo pasi 48-vjeçari Tefi ishte një emër i njohur për autoritete dhe i skeduar më parë për drogë, ndërsa ishte pjesë e organizatave kriminale.
Për policinë greke, ai konsiderohej si një nga kriminelët më të ashpër në Athinë, pasi ishte i pamëshirshëm dhe lëvizte gjithmonë i armatosur. Kjo u pa qartë edhe nga mënyra se si ai qëlloi fillimisht 23-vjeçarin që lëvizte me motor gjatë sherrit dhe ekzekutoi tepër ftohtë të atin e tij Armando Lamaj, i cili doli nga makina sapo pa djalin e tij të qëlluar.
Një dëshmitar, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes ka përshkruar me detaje masakrën e ndodhur në qendër të Athinës. “Ai ishte i tërbuar, gjuante pa pushim dhe në të gjitha drejtimet”, shprehet dëshmitari për agresorin. Sipas tij, teksa autori ndodhej në një makinë, u shfaqën dy automjete të tjera dhe një motor. Njëri prej tyre iu afrua dritares së 48-vjeçarit dhe e goditi me grusht. Dëshmitari okular flet për tërbimin e Tefit, i cili shprehet se “derisa ka hipur në makinën tjetër ka vazhduar të gjuajë në të gjitha drejtimet, pa llogaritur asgjë”.